
Përkundër përplasjeve politike të forta për një sërë cështjesh, mazhoranca dhe opozita kanë dalë me një qëndrim vetëm përsa i përket domosdoshmërisë për një reagim të fortë e të menjëhershëm ndaj akuzave të Dick Marty.
Socialistët, përmes kreut të grupit parlamentar kërkuan miratimin e një rezolute të përbashkët, si përgjigje ndaj atyre që zoti Ruci i quajti një atentat jo vetëm ndaj Hashim Thacit, por ndaj shqiptarëve si komb.
“Le t’i paraprijmë mbledhjes së sesionit të ardhshëm të KiE. Ne kemi kërkuar pjesëmarrjen tonë, përmes pozitës dhe opozitës. Do kërkoja që ky Parlament të shprehet me një rezolutë ndaj akuzave që i bëhen popullit, kombit dhe rajonit tonë”, deklaroi Ruci.
Në të njëjtën vijë të ashpër ka qenë edhe kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila shkoi më tej duke kërkuar ngritjen e një komisioni mjeko-ligjor për Dick Marty.
“Të ngrihet një komision ekspertize mjeko-ligjore për Dick Marty dhe të shqyrtohen motivet që e kanë shtyrë atë të trillojë një raport të tillë, që është kundër paqes në rajon dhe bie ndesh me partnerët tanë në botë”, tha Topalli.
Në fakt, forca e parë që reagoi për raportin e parlamentarit zviceran Dick Marty ishte PDU, e cila përmes kreut Shpëtim Idrizi ngriti pikëpyetje për sintoninë e plotë të akuzave të tij me ato të politikës serbe.
“Në këtë raport ka shumëcka anti-shqiptare, ndaj reagimi jonë është dicka që duhet të ndodhë. Duhet të reagojmë të gjithë. Besoj fuqishëm se BE do ta hedhë poshtë këtë raport pervers, që fyhen jo vetëm Hashim Thacin, apo Jakup Krasniqin, por mbarë kombin shqiptar”, u shpreh Idrizi.
Top Channel