Përmbytjet, Meta: Opozita po shfrytëzon fatkeqësinë

16/12/2010 11:45

Zëvendëskryeministri Ilir Meta deklaroi se opozita po keqpërdor
përmbytjen e Shkodrës prej fatkeqësisë natyrore me qëllim rrëzimin e
qeverisë.

Duke folur në seancën e sotme plenare, Meta, njëherazi edhe ministër i Energjitikës, theksoi se menaxhimi i kaskadës së Drinit ka qenë profesional dhe perfekt, si dhe rrëzoi pretendimet e kreut socialist Edi Rama se KESH ka bërë lojëra me shitblerjet e Energjisë.

“KESH ka bërë shkarkime për të mos shkuar në kuota kritike të digave. Këtë vit ka patur prodhim maksimal të energjisë elektrike që si kurrë ndonjëherë ka arritur në 7 miliardë kilovat orë. Po ashtu për shkak të reshjeve në ujëmbledhësin e Shkodrës janë riaktivizuar edhe burimet e nëndheshme”, tha Meta.

Sipas tij opozita është e dëshpëruar sepse në Shkodër nuk pati asnjë viktimë nga përmbytjet. Po ashtu Meta theksoi se opozita nuk e rrëzoi dot qeverinë me kuti, ndaj tani po kërkon ta rrëzojë me cështjen e përmbytjeve.

Top Channel