Pa viza, problemet e hasura në ditën e parë

16/12/2010 00:50

Në ditën e parë të lëvizjes së lirë, pa viza në vendet e zonës Shengen, në emisionin Top Show në Top Channel,  diskutuan intelektualë e zyrtarë të qeverisë mbi problemet e hasura në orët e para të liberalizimit të lëvizjes.

Një pjesë e të ftuarve vlerësuan se ka munguar fushata sensibilizuese për kushtet e lëvizjes së lirë, vlerësim ky i hedhur poshtë nga zyrtarë të qeverisë të pranishëm në studio.

Nëpërmjet korespondentes së Gjirokastrës, Kristina Fidhi, Top Show paraqiti situatën në orët e vona të datës 15 dhjetor në doganën e Kakavijës. Sipas gazetares Fidhi policët kufitarë grekë në këtë pikë kufitare, veç kërkesës për mjetet financiare, adresën e pritësit dhe siguracionin e jetës, kanë kërkuar edhe një garanci të firmosur në policinë greke të personit pritës në shtetin helen, pikë kjo e cila nuk është kërkuar në asnjë prej pikave doganore në mbarë vendin tonë.

Sipas raporti, në doganën e Kakavijës u është refuzuar hyrja në Greqi rreth 100 personave, të cilët janë pajisur me një dokument nga ana e autoriteteve greke që i njofton ata për shkaqet e refuzimit të hyrjes. Top Channel ka zbardhur se për raste të njëjta nga policët kufitarë ka patur interpretime të ndryshme, çka ka sjellë konfuzion tek njerëzit.

Ndërkohë, krejt tjetër paraqitet situata në doganën e Kapshticës. Edhe pse fluksi i lëvizjes në këtë doganë ka qenë normal, mësohet se numri i personave të kthyer është vetëm 4, që të gjithë për mungesë të të ardhurave financiare. Në këtë pikë doganore në 12 orët e fundit kanë kaluar rreth 1200 persona, 200 prej të cilëve me pasaportë biometrike.

Situatë normale paraqitet edhe në Durrës. Burimet e Top Channel nga ky port saktësuan se lëvizja ka qenë normale, por me tendencë rritje të fluksit që gjithësesi mbetet jo problematik. Nga ky port nuk raportohen persona me pasaporta biometirke të kthyer në pikën doganore.

Top Channel