
Drejtori per Ballkanin në KE, Pierre Mirel në një intervistë për Top Channel tregon pasojat që vijnë nga abuzimi me heqjen e vizave dhe se gjithë shtetasit shqiptarë që kërkojnë të udhëtojnë në hapësirën “Shengen” duhet të plotësojnë disa kushte.
“Nëse do të abuzohej me detyrimet, kjo mund të lindë idenë tek disa vende anëtare ‘që në fund të fundit, nuk e bëmë mirë me këtë liberalizim’. Ndaj është e rëndësishme që kushtet të respektohen. Kështu të gjithë qytetarët të mund të përfitojnë nga ky sistem, në mënyrë që të mos ketë rrezik ndonjë ditë e që disa vende anëtare të thonë ‘Jo, duhet ta pezullojmë’. Ndaj ne do ta monitorojmë këtë çështje. Do shohim sesi kushtet që çuan drejt marrjes së këtij vendimi, do të respektohen”, është shprehur Mirel.
TCH: A ka të drejtë Komisioni që të monitorojë dhe palën tjetër? Se si vendet anëtare do të respektojnë heqjen e vizave me vendet e Ballkanit?
Mirel – Njerëzit mund të bllokohen, vërtet, në aeroport, sepse kushtet i bashkangjiten regjimit. Ka kushte, e do të pyeteni nëse ju i keni të ardhurat për të qendruar në vendin ku po shkoni. Pra, ekziston kjo mundësi. Ndaj, fushata e nisur tani është e rëndësishme për të parandaluar të tilla risqe”.
TCH – A është e mundur, sipas jush, që Shqipëria t’i plotësojë, brenda një viti, kushtet për proçesin e antarësimit, e që komisioni ta bëjë rekomandimin?
Mirel – “Varet nga Shqipëria dhe parlamenti e qeveria të cilët duhet të punojnë fort për të siguruar se kushtet do të përmbushen. Topi është në fushën e Shqipërisë, siç është në fushën e Malit te Zi e siç do të jetë në atë të Serbisë vitin e ardhshëm, kur ne do të japim opinionin tonë”.
Top Channel