Konferenca gjyqësore, Topi: Ligji i nevojshëm

16/12/2010 22:00

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar se miratimi i ligjit për konferencën gjyqësore ka qenë i domosdoshëm për Shqipërinë.

Por, gjatë rrëfimit të tij në emisionin “Top Story”, ai ka theksuar se sitemi i drejtësisë në vend nuk varet prej tij por nga politika dhe vullneti i saj.

“Nëse unë jam shprehur për votimin e ligjit për konferencën gjyqësore, ky ka qenë një apel. Bashkëpunimi për të realizuar ligje të cilësuara përsa i përket votimit, sjell ripërkursione. Sistemi i drejtësisë në Shqipëri qëndron në këmbë në saj të vullneteve politike dhe kjo është gjë e mirë sepse ky është rregulli i demokracisë”, ka pohuar Topi.

Ai ka refuzuar të komentojë refuzimet e vazhdueshme që mazhoranca u ka bërë propozimeve të tij për anëtarët e Gjykatës së Lartë.

“Nuk futem në koshiencën apo subkoshiencën e të tjerëve, nuk i paragjikoj të tjerët. Është pjesë e një komunikimi të rregullt që ka demokracia”, është shprehur Topi, duke nënvizuar se edhe akuzat për shkelje të Kushtetutës nuk i kanë bërë asnjë efekt.

Më tej, kreu i shtetit ka hedhur poshtë cdo mundësi që ndaj tij të jenë ushtruar presione, duke nënvizuar se ai ka qenë gjithmonë garant i Kushtetutës.

“Nuk ka shans që dikush apo shumëkush të ushtrojë presion gjatë ushtrimit të funksionit të presidentit. Së paku, përderisa presidenti është i motivuar të kryejë misionin e tij në bazë të Kushtetutës dhe ligjit që përcakton sjelljen e tij, cdo presion që mund të bëhet është i paperceptueshëm”, ka theksuar Topi.

Top Channel