Komisioni hetimor më 23 dhjetor

16/12/2010 17:50

Parlamenti vendosi thuajse me vota unanime që të shqyrtojë pas një jave kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet.

Ky vendim, që u mor vetëm me 3 vota kundër të socialistëve Fino, Tahiri dhe Peza, që nuk shpjeguan arsyet, erdhi pas një debati mes dy kryetarëve të grupeve më të mëdha parlamentare.

Ata shprehën mosbesim të dyanshem për vullnetin politik për hetimin e zgjedhjeve të kaluara.

“Le të presim datën 23, këtu do të jemi. Por s’ka asnjë arsye për këtë shtyrje, këtë zvarritje, që flet qartë për një vullnet politik për ta zvarritur këtë cështje. Do ta shohim se cili është vullneti politik që ka munguar për një vit e gjysmë. Unë mbetem skeptik”, deklaroi Gramoz Ruci.

“Bëmë c’është e mundur që kërkesa të plotësohet në aspektin formal juridik, sepse ne dhe vetëm ne duam që ajo të miratohet dhe që komisioni të ngrihet. Jo sepse kemi ndërruar mendje për zgjedhjet e 28 qershorit, por duam që ai të ngrihet sepse duam t’ju carmatosim, t’ju caktivizojmë, që të mos endeni si një rrezik publik në rrugët e Shqipërisë dhe botës. Nëse ju do jeni seriozë, hetimi do të bëhet dhe përfundimet do të dalin, gjithmonë në bazë të Kushtetutës”, replikoi Astrit Patozi.

Vendimi i Parlamentit, përvec caktimit të datës 23 dhjetor, kur do të votohet nëse do të ngrihet apo jo komisioni hetimor, detyron komisionin e ligjeve të shqyrtojë kërkesën e socialistëve deri më datë 21.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA