
Remontet e parashikuara nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) do të lënë sot pa drita gati gjysmën e vendit, si pasojë e stakimit të dy nënstacioneve kryesore.
Njoftimi i bërë nga CEZ Shpërndarja sqaron se ndërprerja e dritave do të bëhet për shkak të kërkesës së OST për të shkëputur linjat elektrike, që bëjnë të mundur punimet në rrjet.
Sipas CEZ Shpërndarjes, ndërprerja e energjisë elektrike do të nisë mëngjesin e sotëm rreth orës 07:00 dhe do të zgjasë deri pasdite, në orën 16:30, pra gati 9 orë.
“OST do të stakojë linjën 220 kilovolt Tiranë-Rrashbull dhe linjën 110 kilovolt Ballsh-Memaliaj, duke ndikuar në furnizimin me energji elektrike disa zona të vendit, si pasojë e këtij remonti”, bën me dije CEZ-i.
Për rrjedhojë, mësohet se nuk do të ketë energji elektrike në fshatra dhe periferi të Durrësit, Kavajës, Rrogozhinës, Lushnjës, Fierit, Vlorës, Sarandës, Gjirokastrës, Tepelenës dhe Memaliaj.
Mësohet gjithashtu se Operatori i Sistemit të Transmetimit do të punojë për linjën dhe nënstacionin e ri 400 kilovolt, duke synuar në të ardhmen një furnizim normal me energji elektrike.
Top Channel