Në zemër të Europës

15/12/2010 20:00

Avioni i posacëm me 50 qytetarët e parë shqiptarë që vizitojnë Brukselin ditën e lëvizjes së lirë, pa viza, mbërriti në aeroportin Zaventem rreth mesditës.

“Gëzohem që arrita të shkoj në Evropë”, ka deklaruar pensionistja Hatixhe Tepelena.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka sqaruar kriteret që u ndoqën për këtë vizitë. “Për ata që janë përzgjedhur, kriteri themelor është të mos kenë udhëtuar më parë jashtë vendit”, ka thënë ai.

Ndërsa studenti i Shkencave Politike, Ermir Hoxha është shprehur: “Ishte hera e parë që udhëtuam pa viza, ishte një ndjenjë shumë e bukur”.

Ndërkohë, Marta Garcia Fidalgo, shefe njësie për Shqipërinë e Malin e Zi, ka shprehur kënaqësinë e saj për këtë mundësi që u është dhënë të rinjve shqiptarë.

“Ne jemi krenarë për ta, janë të rinj, janë e ardhmja e Shqipërisë dhe ky vend do t’i përkasë Bashkimit Europian. E sigurisht, mesazhi i Komisionit Europian ndaj tyre është: Mirëseerdhët në Bruksel”, ka deklaruar Fidalgo.

Dy orë përpara se të mbërrinte delegacioni shqiptar, në aeroportin e Brukselit mbërritën dhe 48 qytetarët e përzgjedhur nga Republika Serbe e Bosnjës.

Top Channel