
Data 15 dhjetor, dita e parë e lëvizjes së lirë të shqiptarëve në vendet e zonës Shengen, përkon me grevën e përgjithshme 24 orëshe të sindikatave greke të sektorit shtetëror dhe atij privat.
Të kontaktuara nga Top Channel autoritetet doganore greke në dy pikat kryesore kufitare, në Kapshticë dhe në Kakavijë, kanë sqaruar hollësite përsa i përket pjesëmarrjes apo jo të tyre në këtë grevë që zgjat prej orës 6 e 30 të mëngjesit të së mërkurës deri në orën 6 e 30 të mëngjesit të së enjtes dhe problemeve që mund të hasin qytetarët shqiptare që do ëe udhëtojnë drejt Greqisë.
Përsa i përket pikës kufitare të Kapshticës, doganierët e kësaj dogane nuk do të marrin pjesë në grevë, kështu që lëvizja e udhëtarëve do të jetë në kushte normale, madje janë marrë edhe masat për një fluks të mundshëm në ditën e parë të lëvizjes së lirë të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të zonës Shengen.
Ndërsa shefi i doganierëve të Kakavijës ka konfirmuar se doganierët e kësaj pike kufitare do të marrin pjesë në grevë, por përsëri dogana do të jetë e hapur për udhëtarët shqiptarë, sepse do të ketë personel sigurimi. Sipas tij, do t’u jepet prioritet dhe do të ketë lehtësi për udhëtaret e autobusëve, ndërsa ata që do të jenë me makina private, do të përballojnë vonesa në rast të një fluksi të madh.
Gjithsesi, çdo gjë do qartësohet në orët e para të mëngjesit sepse mund të ketë edhe vendime për anulim të pjesëmarrjes në grevë në këtë pikë kufitare, çka do të jetë në favor të udhëtarëve shqiptarë.
Në këtë rast Top Channel, nëse ndokush kërkon të komunikojë para se të niset, publikon numrat e telefonave për të dy doganat që janë:
Dogana e Kapshticës 0030 23850-45923
Dogana e Kakavijës 0030 26570-51102
Top Channel