
Në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës pala shqiptare ishte përgatitur për ta pritur në mënyrë festive hyrjen në fuqi të lëvizjes pa viza.
Ka qenë një zonjë personi i parë që kaloi kufirin, me destinacion Larisën. “Do të shkoj të shoh fëmijët, kam 13 vjet pa i parë”, thotë ajo.
Pas personave të parë, pika e kalimit kufitar ra për disa orë në qetësi, për t’u gjallëruar me zbardhjen e ditës.
Në anën tjetër të kufirit, komandanti shqiptar i postës kufitare ka takuar homologun e tij grek. Deri në orën 10:45 grekët kanë kthyer mbrapsht vetëm një person, për mungesë burimesh financiare.
Kufirin e kanë kaluar 194 vetë, nga të cilët rreth 140 persona me pasaporta biometrike. Sipas komandantit shqiptar, kjo është një rritje e vogël në krahasim me ditët e tjera, por jo aq e ndjeshme.
Komandanti grek i druhet dyndjeve për festat e fundvitit. Ndërkohë, policia greke vazhdon të depërtojë qytetarë të larguar ilegalisht, mes të cilëve na thonë se ka edhe nga ata që kanë kaluar vetëm 5 ditë më parë nëpërmjet malit, pa besuar se lëvizja pa viza do të bëhej vërtet e mundur.
Në anën shqiptare filluan të mbërrinin autobusët. Nëse vërtet do të ketë dyndje, kjo do të kuptohet në orët dhe ditët në vijim.
Top Channel