“Kryeministri i Kosovës është kreu i një grupi mafioz, që merret me trafikun e armëve, drogës dhe organeve njerëzore në Europën Lindore. Ky është përfundimi i një raporti të Këshillit të Europës, pas dy vjet hetimesh, ku citohet FBI dhe burime të tjera të shërbimeve sekrete”.

Pjesë të këtij përfundimi janë zbuluar dhe publikuar në gazetën britanike “The Gardian” ku thuhet se Thaçi, dekadën e fundit ushtroi një kontroll të fortë në tregun e heroinës.

Thaçi, identifikohet si “bosi” i një rrjeti që nisi aktivitetin në vitin 1999, që pati një ndikim të fuqishëm në qeverinë e vendit, prej kësaj kohe.

Figura të tjera, në rrethin e ngushtë të tij akuzohen për marrjen peng të serbëve, që janë dërguar përtej kufirit në Shqipëri, pas lufte dhe atyre u janë marrë veshkat e më pas u janë shitur organet në tregun e zi.

Raporti botohet në një moment shumë të rëndësishëm për Kosovën, ku të dielën u zhvilluan zgjedhjet e para parlamentare pas fitores së pavarësisë në vitin 2008.

Thaçi është fitues i tyre dhe po synon të formojë një koalicion me partitë e opozitës.

Raporti do t’u paraqitet të enjten në Paris, diplomatëve europianë nga 47 vende nga Dik Marti, përfaqësuesi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.

Top Channel