Shqipëria e Luftës së Dytë Botërore u bë streha më e sigurt e hebrenjve të përndjekur nga nazizmi. Me qindra çifutë u mirëpritën dhe nuk u tradhëtuan kurrë nga familjet mbajtëse.

Por, megjithë forcën e madhe për qendresë, populli i shpërngulur nga
Izraeli i shpërndarë anë e kënd botës, jetoi gjithmonë në liri të
kufizuar. Ndonëse Shqipëria përbënte rastin unik kur asnjë cifut nuk u dorëzua, ata jetuan gjatë kësaj periudhe dhe më pas, pa mundësinë për të mbajtur gjallë kulturën dhe ritualet e tyre të shenjta.
Sot, kur në Shqipëri ekziston një komunitet fare i vogël i pasardhësve të të përndjekurve të luftës, rreth 30 familje, hebrenjtë mund të kremtojnë në një institucion të tyren dhe vetëm për ta. Prej pak kohësh, në Tiranë është hapur qendra e parë rabinike, insitucion fetar ku hebrenjtë mund të kryejnë në mënyrë të ligjëruar rituale e tyre. Sokol Pirra, kreu i komunitetit tregon: “Në këtë sinagogë do të vijnë të gjithë hebrenjtë e vërtetë për të kryer ritet e tyre të gjithë bashkë.”
Apollon Ruben është një prej dhjetra hebrenjve të mbetur në Shqipëri pas përfundimit të luftës. Me gjithë përndjekjet dhe persekutimet, ai lumturohet që së paku në këtë sinagogë, do të kremtojë denjësisht një rit sipas traditës cifute.
“Hapja e kësaj sinagoge është një kënaqësi e madhe për mua dhe të gjithë komunitetin hebre. Më parë festat hebraike I festonim fshehurazi ndërsa tani jo më”, shprehet Ruben.
I persekutuar në githë rininë, për shkak të qenësisë së tij hebreje ky zotëri tregon për vështirësitë me të cilat familja dhe gjithë bashkëkombësit e tij, i bënin qendresë kulturës dhe traditës hebraike: “Në shkollë e kemi ndjerë shumë persekutimin dhe nuk mund të festonim festat tona në mënyrë të hapur.”
Në Shqipërinë e ditëve të sotme, shumë hebrenj dhe biznese nga Izraeli janë të lirë të zhvillojnë aktivitetin e tyre. Megjithatë, në pikëpamjen shpirëtrore deri më tani askush nuk e kishte gjetur veten. Nathaniel Brodsky, një Amerikan me origjinë hebreje thotë se shtangu kur mësoi se në Shqipëri nuk kishte një vatër për të unifikuar patriotët e tij.
“Kur erdha për herë të parë këtu, sepse unë merrem me muzikë, pyeta ku është komuniteti i henrenjve. M’u përgjigjën: nuk ka. Shtanga dhe thashë: mos më zhgënjeni! Por, më pas erdhi përgjigjia: Ata kanë ikur në Izrael. U ndjeva pak më mirë, por ndjeva diçka që më mungonte”, thotë Nathaniel.
Celjen e të parës Sinagogë rabinike, një institucion fetar, i cili do të mbledhë rreth vetes komunitetin e hebrenjve në Shqipëri, Nathaniel e vlerëson si një moment të shenjtë: “Kemi pritur shumë vjet hapjen e një sinagoge që njerëzit tanë të lidhen me njëri-tjetrin dhe t’i luten Zotit. Pa një sinagogë, nuk mund të ketë komunitet. Ky është hapi i parë për të ndërtuar një komunitet hebre në Shqipëri dhe ata të jenë të bashkuar.”
Autoritetet fetare izraelite kanë vendosur që Sinagoga Rabinike e Tiranës, të jetë një qendër përfaqësuese për të gjithë komunitetin e hebrenjve të Ballkanit. E meqenëse këtu nuk mund të gjendet një kryerabin, ai është deleguar nga Izraeli.
Shqiptarët kanë luajtur nje rol të madh në mbijetesën e çifutëve gjatë historisë së tyre të përndjekjes. Sot, Shqipëria po kontribuon që ky komunitet të jetojë në legjitimitet me vlerat dhe ritualet e mohuara ndër shekuj.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA