Shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule kanë përgëzuar popullin e Kosovës për atë që ata e cilësojnë si “një proces të rregullt dhe të qetë” gjatë votimit të së dielës.

Por asnjë zyrtar europian nuk ka vlerësuar ende nëse këto zgjedhje ishin të lira e të ndershme dhe nëse i plotësuan apo jo standartet ndërkombëtare.

“Përfaqësuesja e Lartë dhe komisioneri përgëzojnë popullin e Kosovës për zhvillimin e zgjedhjeve në mënyrë të qetë e të rregullt, sic u vërejt në shumicën e procesit. Vlerësohet pjesëmarrja e të gjitha komuniteteve etnike në votim. Tashmë u takon autoriteteve kompetente që të certifikojnë rezultatin e të merren me ankesat e apelet sipas rregullave e ligjeve relevante”, ka deklaruar Maja Kocijancic, zëdhënëse e baroneshës Ashton.

Pas këtij apeli për hetimin sipas ligjit të të gjitha parregullësive, komunikata e Ashton dhe Fule bën thirrje edhe për formimin sa më të shpejtë të një qeverie të re dhe zgjedhjen e një presidenti të ri, të cilët i presin sfida të mëdha.

Dy zyrtarët e lartë të BE-së kanë parasysh nisjen e pritshme të dialogut mes Prishtinës e Beogradit, por dhe reformat që vendi duhet të bëjë për përafrimin e mëtejshëm me BE-në gjatë vitit 2011.

Top Channel