Interneti, Shqipëria e fundit në rajon

13/12/2010 20:30

Banka Botërore vëren se teknologjia e informacionit në Shqipëri nuk po zhvillohet për shkak të cmimeve të larta dhe mungesës së konkurrencës.

Sipas raportit të fundit, Banka vëren se shqiptarët paguajnë për internetin, vecanarësisht atë me shpejtësi të lartë, deri në 6 herë më shumë se fqinjët e tyre.

Tarifat mesatare mujore në Shqipëri për këtë shërbim janë 66.9 euro ose 6 herë më të larta se ato në Kroaci, gati tre herë më shumë se Turqia, Bosnja dhe Serbia dhe mbi dy herë më shtrenjtë se Mali i Zi.

Banka thotë se cmimet e larta e kanë futur industrinë në ngërc dhe janë shkaku kryesor për numrin e kufizuar të përdoruesve të këtij shërbimi nga popullsia dhe biznesi.

Përtej projektit “Shqipëria në moshën e internetit”, të dhënat e Bankës tregojnë se vetëm 2.5 për qind e popullsisë shqiptare ka askes në internetin me brez të gjerë.

Banka thotë se shkaqet për këto cmime të larta janë të lidhura me mungesën e infrastkturës, por edhe me përqendrimin e tregut në pak duar, ku edhe pse zyrtarisht ekzistojnë mbi 90 kompani, shumica dërrmuese e tyre janë thjesht lokale dhe të parëndësishme në treg.

Vitet e fundit tenkologjia e informacionit ka qenë një nga burimet kryesore të rritjes së ekonomisë botërore, pasi ajo ul kostot dhe krijon mundësi të reja për biznesin.

Sipas studimeve të Bankës, një rritje me 10 për qind e numrit të përdoruesve të internetit me shpejtësi të lartë, i rrit të ardhurat mesatare për frymë në ekonomi me 1.38 për qind, cka tregon se një tjetër burim mirëqënieje nuk po shfrytëzohet për shkak të mungesës së infrastrukturës dhe situatave monopol në treg.

Top Channel