Partia Socialiste i rikujtoi sërish mazhorancës qeverisëse ofertën e saj për rishqyrtimin e buxhetit dhe ndërmarjen e disa hapave ligjore si e vetmja mënyrë për të ndalur siç tha deputeti Ilir Beqaj kënetëzimin e plotë të vendit e për t’i ardhur në ndihmë banorëve të Shkodrës dhe Nënshkodrës.
“Partia Socialiste ka bërë një ofertë konkrete për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për mbrojtjen e vendit nga kënetëzimi si dhe për mbrojtjen e të gjitha hapësirave të banuara nga përmbytjet, si ajo e Shkodrës, për të cilat nuk e ka fajin as natyra e as perëndia, por që janë kryekëput një dështim i Sali Berishës”, u shpreh Beqaj
Sipas socialistëve, përgjigjja refuzuese e kryeministrit është tregues i mungesës së interesit të tij dhe kabinetit që drejton për të zgjidhur problemet dhe hallet e shqiptarëve në këtë moment shumë të vështirë.
“Përballë përmbytjeve që tanimë janë kthyer në një ritual tragjik për dhjetëra mijëra shqiptarë me pasoja të pariparueshme për familjet shqiptare dhe ekonominë e vendit, reagimi i vetëm i qeverisë së Saliut kanë qenë sulmet ndaj opozitës dhe larja e duarve nga cdo lloj përgjegjësie. A thua se nuk ishte po ky kryeministër që dhjetë muaj më parë, pas përmbytjes së parë, edhe të dytë, edhe të tretë e edhe të katërt premtonte se një situatë e tillë nuk do të përsëritej më kurrë”, përfundoi Beqaj.
Top Channel