Çamët: Athina të kërkojë falje

11/12/2010 16:10

Qëndrimi grek ndaj çështjes came, përpjekjet e faktorit politik çam në Shqipëri për të ndërkombëtarizuar këtë çështje, si dhe raportet mes poltikës dhe kishës së drejtuar nga Anastas Janullatos ishin në fokus të Konferencës së organizuar nga Instituti për studimet çame.

Në fjalën e tij kreu i PDU, Shpëtim Idrizi, parashtroi edhe kërkesat që çamët kanë kundrejt shtetit grek e të cilat do të mbrohen nga një studio e njohur ligjore përballë të gjithë organizmave ndërkombëtare.

“Greqia duhet të kërkojë falje dhe të shikojë mundësi dëmshpërblimi për viktimat e genocidit të organizuar prej forcave parlamentare apo të krahut të djathtë, ashtu siç duhet të parashikojë edhe kompensim për pasuritë dhe pronat çame dhe shqiptare në përgjithësi”, u shpreh Idrizi.

Në analizat e studiuesve nuk mungojnë edhe dozat e forta të kritikës për mënyrën sesi u morr drejtimi i Kishës Autoqefale shqiptare nga Anastas Janullatos. Në fjalën e tij Pëllumb Xhufi renditi disa ndër pikat që kanë ndikuar sipas tij në krijimin e një epërsie politike për këtë çështje nga ana e palës greke.

“Gabimet e rënda të politikës shqiptare si mbajtja ndezur e një klime konfliktuale politike të brendshme, marrëveshja politike PS-PASOK, promovimi politik bipartizan i përfaqësuesve ekstremistë të minoritetit grek si Dule dhe Bollano, vjedhja e zgjedhjeve të vitit 1996, “piramidat” mashtruese dhe korruptimi galopant i politikanëve e forcuan aftësinë e Athinës për të ndërhyrë në axhendat e brendshme e të jashtme të shtetit shqiptar”, theksoi Xhufi.

Në të njëjtën vijë ka qenë edhe historiani tjetër i njohur Beqir Meta.

“Qeveria shqiptare i akordoi të gjitha të drejtat minoritetit grek në Shqipëri pa kërkuar asnjëherë si këmbim nga qeveria greke plotësimin e një kërkese minimale të shqiptarëve të çamërisë. U cënua statusi i Kishës Autoqefale Ortodokse pa kërkuar në këmbim asgjë”, u shpreh Meta.

Analiza të detajuara për çështjen çame kanë kryer edhe studiues kosovarë, turq dhe britanikë.
 
PDU e drejtuar nga Shpëtim Idrizi dhe PDI e drejtuar nga Tahir Muhedini kanë dhënë shenjën e parë të fortë për një bashkim të ri nën të njëjtën çati politike, për t’i shërbyer më mirë këtij qëllimi.

Top Channel