Kur kanë mbetur edhe 20 ditë nga skadimi përfundimtar i afatit për vendosjen e kasave fiskale, administrata tatimore raportoi dje të dhënat më të fundit rreth procesit të fiskalizimit të subjekteve.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, zyra e monitorimit të procesit mbi instalimin e pajisjeve fiskale, deklaroi se gjatë gjithë vitit 2010 janë ndëshkuar me gjoba 6387 biznese në të gjithë vendin, me vlerë gjobash 424 milionë e 830 mijë lekë ose gati 4 milionë dollarë. Shifra konsiderohet tepër e lartë, duke pasur parasysh se ndëshkimet vinin kryesisht nga mospagesa e detyrimeve për kontributet shoqërore.
“Deri tani janë instaluar 26 454 pajisje fiskale, ndërkohë që strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, sektori Task-Forcë i Drejtorisë së Hetimit dhe Drejtoritë e Verifikimit në terren në drejtoritë rajonale tatimore, vazhdojnë kontrollet dhe verifikimet për evidentimin e subjekteve që nuk janë pajisur me pajisje fiskale”, u shpreh dje Erjon Prifti, drejtori i Informacionit dhe Teknologjisë në Drejtorinë e Tatimeve.
Gazeta mëson faktin se në terren janë futur edhe grupet e Task-Forcës, të cilët po kontrollojnë me detaje bizneset që nuk kanë kasa fiskale, si dhe po verifikojnë të gjitha zonat problematike. Rezultatet paraprake duken pozitive, pasi të dhënat flasin për shuma të konsiderueshme gjobash, bllokim malli pa faturë etj.
Statistikat zyrtare gjatë periudhës 10-mujore janë verifikuar me shumë se 19000 subjekte nga të cilat janë evidentuar 6387 biznese me shkelje të ligjit për shkak se nuk ishin pajisur me kasa fiskale.
Drejtues të Tatimeve thanë për “Shqip”, se në tërësi procesi ka ecur mirë, por e vetmja problematikë qëndron në faktin e neglizhencës së biznesit, i cili kujtohet në momentet e fundit për të vendosur kasat fiskale.
Gjithashtu, sa u takon karburanteve, tjetër sektor delikat i procesit për shkak të specifikave teknike, mësohet se instalimi i kasave po ecën normalisht dhe duket se është rikthyer besimi, për shkak edhe të garancisë që po jep sistemi fiskal i kasës regjistruese të xhiros. Deri tani llogariten rreth 400 kasa të vendosura për pikat e karburantit, ndërsa në treg qarkullojnë të paktën 1200 njësi shitjeje me pakicë.
Administrata Tatimore ritheksoi dje përmbajtjen e ligjit dhe vendimit të qeverisë lidhur me afatet e vendosjes së kasave fiskale për subjektet e vogla.
“Data 31 dhjetor 2010 është afati i fundit, brenda të cilit tatimpaguesit që kanë detyrim ligjor të përdorin pajisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme kuponin tatimor, duhet të instalojnë pajisjet fiskale”, deklaroi Prifti.
Sakaq, në bazë të ligjit nr. 10354, datë 18.11.2010, të gjithë tatimpaguesit, të cilët kanë detyrimin për instalimin e pajisjeve fiskale dhe kanë bërë pagesën e blerjes së pajisjes së parë fiskale deri në datën 28.2.2011 nga “Shoqëritë e autorizuara sipas kontratës përkatëse”, iu rimbursohet pagesa deri në shumën 44 mijë lekë.
Gjithashtu, edhe bizneseve që operojnë në fushën e transportit, përcaktuar në shtojcën 5 të këtij ligji, dhe që kanë detyrimin për t’u pajisur me taksimetër, i rimbursohet pagesa e bërë për blerjen e taksimetrit, sipas kontratës përkatëse, deri në shumën 30 mijë lekë. Në bazë të këtij ligji, rimbursimi kryhet në çastin e pagesës së këstit/kësteve pasardhës/pasardhëse të taksës së biznesit të vogël.
Administrata tatimore u kujton edhe një herë të gjithë tatimpaguesve të regjistruar në biznesin e Madh në të gjithë Shqipërinë, si dhe në biznesin e vogël, që ushtrojnë veprimtari në bashkitë: Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Lushnjë, Berat, Sarandë, Korçe, Pogradec, Elbasan, Shkodër dhe Lezhë, si dhe në komunat Shëngjin, Golem, Rashbull, Orikum, Himarë dhe Ksamil se afati i detyrueshëm për instalimin e pajisjeve fiskale ka përfunduar.
Top Channel