Partia Demokratike e Kosovës vazhdoi të enjten fushatën elektorale në qytetin e Ferizajt dhe të Lipjanit.
Në Lipjan kreu i PDK-së, Hashim Thaçi nën brohoritjen e simpatizantëve u ka uruar atyre fitoren e PDK-së, dhe ftoi ata që të dalin të votojnë për numrin 49.
“Kanë mbetur edhe 2 ditë të votoni për njerëzit tuaj, të punës, të patriotizmit dhe që nënshkruan deklaratën e pavarësisë”, u shpreh Thaçi.
Ndërsa, në Ferizaj ai përseriti se në rast të fitores brenda 15 muaj Kosova do të përfshihet në proçesin e liberalizimit të vizave dhe gjatë mandatit të ardhshëm 4 vjeçar anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe OKB. Në përmbyllje të këtij tubimi u prezantuan kandidatët për deputetë të PDK-së nga kjo komunë.
Kryetari i LDK-së është shprehur i bindur në Lipjan se kjo parti do të fitojë në zgjedhjet e së dielës. Ai u premtoi qytetarëve të kësaj ane se qeveria e formuar nga LDK do të ndërtojë një shtet të fuqishëm.
Po ashtu, sipas tij kjo gjë do të reflektojë në bërjen e një jete më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Unë ju garantoj se me përkrahjen tuaj dhe me mbështetjen e simpatizantëve të LDK-së e kemi fitoren përpara, fitorja për ndërtimin e një shteti demokratik e ligjor e për ndërtimin e një ekonomie të fortë që do të përballojë të zgjidhë problemet tuaja dhe tonat”, tha Mustafa.
Ndërsa, kandidati për deputetë nga kjo parti Naser Osmani shprehu bindjen e tij se LDK do të fitojë në Lipjan më shumë vota sesa që ka votuar deri më tani.
Sipas tij lipjanasit janë provuar deri më tani me premtimet e të tjerëve dhe tani i besojnë LDK-së dhe kryetarit të saj.
Top Channel