Pas një përmirësimi modest të motit dhe situatës në Shkodër, është rikthyer koha e keqe dhe vërshimi i ujërave.
Ndërsa qytetarët e Shkodrës dhe Ultësirës së përmbytur po matnin centimetrat e tërheqjes se ujit nga trotuaret apo banesat, Shkodra është përfshirë të enjten në mbrëmje nga një mot tejet i keq dhe uji ka nisur sërish të pushtojë zonat që kishte çliruar dy ditët e fundit.
Si pasojë e reshjeve janë rritur edhe shkarkimet nga hidrocentrali i Vaut të Dejës. Por duket se një ndikim të madh në këtë situatë ka patur edhe hapja e katër portave të shkarkimit të Liqenit të Ohrit.
Veç reshjeve që, sipas parashikimeve do të intesifikohen, autoritetet maqedonase urdhëruan dje hapjen e katër portave në liqenin e Ohrit, aty ku fillon edhe rrjedha e lumit Drin.
Deri dy ditë më parë në urën e Strugës që luan edhe rolin e digës së burimit të Drinit ishte hapur vetëm një portë, duke bërë që sasia e ujit që derdhet nga liqeni i Ohrit të katërfishohet.
Autoritet në Maqedoni kanë pohuar se nuk mund të toleronin më tej rritjen e nivelit të liqenit i cili po kërcenonte zonat e banuara që ndodhen në brigjet e tij.
Këto shkarkime dhe reshjet e nisura rishtas duket se kanë ndikuar së bashku në përkeqësimin e situatës.
Top Channel