Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama shprehu bindjen se propozimi i bërë për një operacion radikal kundër përmbytjeve është një propozim i realizueshëm, ndërsa akuzoi pushtetin aktual për paaftësi.
“Propozimi konkret, njësoj si propozimi për zgjidhjen e krizës politike nuk është marrë seriozisht, por është trajtuar me procedura dhe burokraci që nuk kanë të bëjnë me krizat dhe me thelbin e krizave në një vend ku demokracia nuk funksionon”, tha Rama.
Në një bashkëbisedim me gazetarët, kreu socialist theksoi se gjendja në zonat e përmbytura është tepër e rëndë dhe do të keqësohet më tej, në rast se nuk do të merren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur vendin nga kënetizimi.
Duke folur edhe për krizën politike, Rama theksoi se pushteti vazhdon t’i zvarrisë procedurat me qëllim grabitjen e zgjedhjeve të ardhshme.
“Saliu ka dështuar në qeverisjen e vendit dhe kërkon të qëndrojë me pahir në krye të vendit duke vjedhur dhe rivjedhur votat e popullit”, tha Rama.
Top Channel