Behgjet Pacolli, kryetar i Aleancës Kosova e Re dhe koalicionit të tij, ka premtuar se do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale të pensionistëve dhe veteranëve të luftës.
“S’po ju premtoj asgjë, por ju e dini mirë se paratë të privatizimit janë diku dhe nuk shërbejnë tani për ekonominë e Kosovës. Ato para një pjesë e madhe është e juaja dhe askush nuk mund të mendojë ndryshe dhe ato do të kthehen normalisht pas një pune shumë të madhe që ne në Kosovë do të bëjmë. Duhet të bisedojmë me të gjitha palët, me fqinjët tanë dhe ta bëjmë të mundshme që ato para të kthehen këtu. Një pjesë e madhe do të shkojë në krijimin e kushteve më të mira për veteranët dhe pensionistët tanë ”, tha Pacolli.
Pacolli premtoi se këto kategori do të kenë edhe lehtësime në kujdesin shëndetësor.
Nexhat Daci me Lidhjen Demokratike të Dardanisë kanë kritikuar qeverinë nga qyteti i Gjakovës duke thënë se nëse qytetarët votojnë për LDD-në shteti dhe qytetarët e lumtur do të jenë më të rëndësishmet.
“Zgjedhjet e ardhshme janë për shtetin e Kosovës, për shtetin që qeveria e deritanishme jo që nuk arriti ta ndërtojë, për shtetin shtetasit për qytetarin e rëndomtë, por përkundrazi e futi në karantinë pa ekonomi të zhvilluar, pa shëndetësi pa shkencë, pa kulturë. Prandaj të mos jemi pjesë e atij vargani, por ta ndryshojmë Kosovën që të jetë shtet që ta duan të gjithë qytetarët, e besoj Gjakova ka më shumë arsye se askush tjetër të jetë me dardanët, të votoni dardanët dhe të jemi krijues të shtetit dhe të jetës së lumtur”, tha kryetari Daci.
LDD ka prezantuar edhe kandidatët e saj në Gjakovë.
Vetëvendosja e Albin Kurtit ka zgjedhur Malishevën, i njohur si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës.
“Më 12 dhjetor qytetarët nuk do t’i votojnë rrencat e hajnat e politikës së regjimit, por do t’i votojnë politikanët e vërtet dhe të ndershëm të Vetëvendosjes. Më 12 dhjetor qytetarët e Kosovës nuk do t’i votojnë njerëzit e regjimit që shoqërohen me tregtarët që sjellin mallra të Serbisë në Kosovë, por do t’i votojnë njerëzit e Vetëvendosjes që do t’i ndihmojnë prodhuesit vendor, dhe do t’i bllokojnë mallrat e Serbisë në kufi. Më 12 dhjetor qytetarët e Kosovës nuk do të votojnë për njerëzit e regjimit që zgërdhihen me flamurin lara-lara, por do të votojnë për njerëzit krenar të Vetëvendosjes, me flamurin e kuq e zi me shkabën dy krenare”, tha lideri Kurti.
Ndërsa aktivistë të tjerë gjatë fjalës së tyre vunë në dukje paradoksin e këtij qyteti të varfër, që ka nxjerrë politikanët më të pasur.
Ndërkaq Fryma e Re ka udhëtuar drejt qytetit të Ferizajt. Ata premtuan se ndryshimet do të ndodhin dhe ky qytet do të përfaqësohet më shumë në politikën e Kosovës si qyteti më i zhvilluar në Kosovë.
“Sot nga Ferizaj janë 5 mijë persona që punojnë në Afganistan dhe në Irak dhe në të njëjtën kohë kontribuojnë shumë për ekonominë e Kosovës, sepse 20 milionë euro derdhen çdo muaj në bankat e Kosovës. Ferizaj edhe pse ka pasur 9 deputetë në Kuvend të Kosovës, dihet se sa herë është përmendur në Kuvend, sa herë janë përmendur problemet e Ferizajt. Andaj atë që po e bën Fryma e Re anekënd Kosovës, do ta bëj edhe në Ferizaj, me qëllim që përfaqësimin ta bëjë në mënyrë të denjë”, tha Shpend Ahmeti.
FER ka premtuar se qytetari do të jetë në qendër të vëmendjes pasi sipas tyre qeverisja e kaluar ka shikuar vetëm interesat personale.
Top Channel