Selami: I kam refuzuar ofertat politike

09/12/2010 22:00

I kthyer përkohësisht në Tiranë për 20-vjetorin e lëvizjes së 8 dhjetorit, Eduard Selami ka deklaruar se ka pasur oferta për një kthim afatgjatë në Shqipëri.

Por, duke folur në emisionin “Top Story”, ai ka rrëfyer edhe motivet përse i ka refuzuar këto oferta.

“Kam pasur oferta, por nuk jam kthyer pasi nuk bëhet fjalë për punë postesh, por për fuqizimin e demokracisë në Shqipëri. Nuk mendoj se ardhja ime do të kishte një efekt të madh”, ka pohuar Selami.

I pyetur mbi zërat për një kandidim të mundshëm për bashkinë e Tiranës ai është përgjigjur:

“Asgjë nuk do të më gëzonte më shumë, sidomos në këtë përvjetor, për t’i shërbyer Tiranës, që i dha jetë demokracisë. Por mendoj se për mua, i shkëputur 15 vjet nga Tirana, nuk është serioze të pranoj. Do ta refuzoja pasi mendoj se ka kandidatë më të mirë se unë. Unë nuk jam i përshtatshëm”.

Por ai ka shtuar se kthimi i tij në Shqipëri për motive politike është i pashmangshëm. “Patjetër që do të kthehem. Kjo është vetëm cështje kohe”, ka theksuar Selami.

Më tej Selami ka rrëfyer edhe marrëdhëniet e tij me kryeministrin aktual të Shqipërisë, Sali Berisha.

“Nuk kam pasur kontakte të drejtpërdrejta me Berishën në kohët e fundit. Megjithatë, në takimet që do të bëj me miqtë, do ta takoja me kënaqësi”, është shprehur ish-kryetari i PD.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA