Në takimin e dytë të ciklit të emisoneve “Kosova Zgjedh”, në Top Show ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Zoti Mustafa shpalosi programin politiko-ekonomik të partisë së tij, program me të cilin LDK pretendon të marrë qeverisjen e Kosovës më 12 dhjetor.
Fillimisht lideri i LDK-së foli situatën pas zgjedhjeve të 12 dhjetori ku në rast se vota në këtë ditë shpall LDK-në fituese emri i kryeministrit do të zgjidhej nga strukturat e partisë. Pyetjes se nëse pas zgjedhjeve do të merrte postin e kryeministri ai iu përgjigj.
“Këtë çështje do ta zgjidhim brenda LDK dhe nëse dalim në një mendim të përbashkët se unë duhet të jem kryeministër i ardhshëm i Kosovës unë atë do ta bëj. Njëherë të fitojmë zgjedhjet e pastaj të vendosim se kush do të qeverisë”, tha Mustafa.
Mustafa premtoi një qeverisje gjithëpërfshirëse, nën shembullin e qeverisjes së Prishtinës, madje edhe më të mirë
“Qeverisja duhet të jetë më e mirë se sa modeli i Prishtinës. Ka vështirësi në trajtimin e problemeve pronësore dhe të manaxhimit të kompanive publike”, deklaroi Mustafa.
Kreu i LDK-së vijoi më tej se asnjë prej personave që kanë mabtjur postin e ish-ministrave gjatë koalicionit me PDK-në dhe që aktualisht janë kandidatë për deputetë të LDK-së, nuk do të jenë pjesë përbërëse e kabinetit të ri. Mustafa përjashtoi kategorikisht koalicionin me PDK duke preferuar qendrimin në opozitë. Ky koalicion sipas tij do të ripërsëriste gabimet e mëparshme.
Mustafa tha se përsa i përket qeverisjes nevojiten ndryshime thelbësore ku në qeveri të përfshihen figura të pastra e të aftë për t’u ballafaquar me vështirësitë e sfidat e zhvillimit ekonomik e integrimit europian.
“Të gjithë personat që do të jenë në qeveri nuk do të kenë mundësi të merren me biznes dhe do të përpiqemi që në administratë mos kemi nepotizëm”, u shpreh Mustafa.
Më tej lideri i LDK-së pasi shprehu kënaqësinë që në strukturat e partisë që ai udhëheq po ndodh një reformim. Sipas tij partisë po i afrohen njerëz të rinj, për të cilët ajo ka nevojë.
Mustafa u zotua në ndërtimin e një shteti ligjor dhe ndëshkimin e të gjithë zyrtarëve të lartë që abuzojnë me fondet publike.
“Nuk mund të ndërtohet shteti ligjor nëse ne kapërcejmë dhe nuk marrim masa ndaj atyre që kanë rkijuar pasuri dhe kanë abuzuar me fondet publike. Gjithçka duhet të realizohet nëpërmjet ligjit dhe në mënyrë transparente”, deklaroi Mustafa.
Isa Mustafa u shpreh se në listën e LDK-së 70 përqind e personave janë njerëz që nuk kanë qenë më parë deputetë e të përzgjedhur me kujdes.
Përsa i përket koalcioni paszgjedhor Mustafa pasi përjashtoi PDK-në u shpreh se partia e tij ka patur qasje me AAK-në. Por gjithësesi, ai tha se gjithçka mbetet për t’u diskutuar pas 12 dhjetorit. Mustafa nuk përjashtoi mundësinë e një koalicioni edhe me lëvizjen Vetëvendosje me të cilën tha ai duhet të diskutohet çështja e programit. Ai tha se do të preferonte një koalicion me bazë të gjerë, qeverisje të qendrushme dhe kontroll të njerëzve qeverisës.
Top Channel