Kundër terrozimit me telenovela

09/12/2010 09:20

“Shtëpiaket e dëshpëruara” nuk janë vetëm një nga serialet më të ndjekura e të kuotuara sot per sot, por edhe një nga mjetet me efikase për të fituar luftën kundër terrorizmit.

Në fakt, bashkë me një tjetër serial shumë të famshëm e të dashur për shikuesit, “Friends” dhe show-n televiziv të David Letterman, ato konsiderohen si kundërshtarët më të mirë të xhihadit islamik, si rruga më e frytshme për të fituar zemrat dhe mendjet e muslimanëve të rinj.

E vështirë për t’u besuar, por e vërtetë. “Shtëpiaket e dëshpëruara” dhe “Friends”, që transmetohen aktualisht në televizionin e Arabisë Saudite të titruara në arabisht, i bëjnë të rinjtë e Lindjes së Mesme më pak të motivuar për të vrarë amerikane.

Është sërish një nga kabllogramat e Wikileaks që zbulon një fakt të tillë.

“Këtu çdo gjë vërtitet rreth botës së ideve – thuhet në mesazh – dhe preferenca e të rinjve sauditë për programet amerikane sa vjen e rritet, duke i pushtuar ata në një mënyrë që asnjë lloj propagande tjetër e Shteteve të Bashkuara nuk ka arritur ta bëjë. Sauditët janë tani të interesuar për botën jashtë dhe thuajse të gjithë duan të studiojnë në SHBA. Jane magjepsur nga kultura amerikane si kurrë më parë”.

Mesazhi diplomatik i dërguar majin e vitit 2009 mban titullin “David Letterman – një agjent influence” dhe e përshkruan programin satirik të këtij të fundit si një armë të fuqishme në këtë “të ashtuquajturën luftë të ideve” që Shtetet e Bashkuara dhe qeveria saudite kanë nisur kundër ekstremistëve islamikë.

“Po kështu, sharmi i Eva Longorias e Jennifer Anistonit i ka bërë të ndihen gjithmonë e më të tërhequr prej stilit amerikan të jetesës. Në fund, – vazhdon mesazhi, – mund të thuhet se kapaciteti për të sponsorizuar ideale përmes kulturës dhe televizionit, është për popullsinë e rajonit më bindës se çdo propagandë e thjeshtë”.

Top Channel