“Lodhje” nga zgjerimi apo anëtarësimi me Ballkanin? Kjo çështje u shqyrtua në samitin e organizuar enkas nga Miqtë e Europës me përfaqësues të rajonit dhe institucioneve europiane në Bruksel.
Për Komisionerin e Zgjerimit Stefan Fule, bëhet fjalë për lodhje anëtaresimi dhe jo ndaj politikës së zgjerimit. Eurodeputetja Doris Pack vlerësoi të kundërtën, por diskutuesit ranë dakort se nevojitej punë nga vetë politikanët e rajonit për të kapërcyer këtë pengesë, në mënyrë që vendet e Ballkanit të vendoseshin në krye të axhendës europiane, në respekt të angazhimit të deklaruar nga BE në Samitin e Selanikut.
Për Shqipërinë veçohet zgjidhja e ngërçit politik dhe përmbushja e 12 kushteve që listoi Komisioni me 9 nëntor në mënyrë që vendi të kalojë në një fazë tjetër të integrimit europian.
“Ju keni Shqipërinë e Malin e Zi. Pavarësisht prioriteteve kyçe të listuara nga Komisioni, që ata duhet të përmbushin përpara se të nisin bisedimet për anëtarësim me vendet aëtare, dhe ekziston mundësia që këto të përmbushen që vitin e ardhshëm dhe rekomandimi i Komisionit do të jetë atëherë që “tani erdhi koha”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.
“Po shoh që shiptarët janë ulur këtu. Ata kanë një problem shumë të madh e për fat të keq ne nuk mund t’ju ndihmojmë ju. Ne bëmë ç’mundem, por nëse kjo çështje nuk zgjidhet brenda vendit… ? Ju humbët statusin kandidat për shkak të këtij ngërçi politik, Mali i Zi nuk e humbi sepse nuk e kishte një problem te tille”, u shpreh eurodeputetja gjermane, Doris Pak.
Për Kosovën, kryeministri Serb Cvetkoviç u deklarua pro nisjes së dialogut, por nuk e përmendi atë ndërsa listonte vendet e tjera të Ballkanit kur bëhej fjalë për bashkëpunim rajonal
“Bashkëpunimi mes Serbisë e Kosovës është jetësor. Na lejoni që të jemi të qartë, kjo situatë bllokon bashkëpunimin e nevojshëm ndërrajonal, askush nuk përfiton dhe varfëron jetën e përditëshme të qytetarëve”, deklaroi komisioneri Fule.
“Ndihem keq. Nesër nisem për Kosovë për të monitoruar zgjedhjet. Në 2010 të sillesh njësoj si në 2009 nuk është aspak optimiste edhe në kuadër të dialogut që ju zoti kryeminister thoni se doni ta nisni, e jam e lumtur që e thoni, por duhet të shikoni realitetin e ta zgjidhni këtë pikë”, tha Doris Pak.
Si zakonisht kur flitet për Ballkanin, edhe në këtë takim u përmend për luftën ndaj trafiqeve, drogës, krimit të organizuar e korrupsionit.
Për çeljen e bisedimeve për anëtarësimin e e Maqedonisë, eurodeputetët e pranishëm vlerësuan si të turpshme bllokimin, deri në zgjidhjen e çështjes se emrit, nga Greqia.
Pergatiti Arta Tozaj
Top Channel