Festat aq të dëshiruara të fundvitit po afrojnë. Më shumë se datat, praninë e tyre na i kujtojnë dekoret dhe zbukurimet shumëngjyrëshe që kanë zënë vend vitrinave dhe fasadave të qytetit që me nisjen e dhjetorit.

Njerëzit gjithmonë kanë gjetur një mënyrë që trishtimit t’i japin nota të gjalla edhe atëherë kur ato mungojnë. Këto drita e zbukurime të panumërta, fabrikim i ditëve të sotme, janë një mirëseardhje bujare për të mbuluar zbrazëtinë e stinës me ngjyrat e munguara të natyrës.

“Blerjet kanë filluar që nga 1 nëntori. Dhjetori është një muaj që ka një atmosferë ndryshe nga të tjerët”, shprehet një shitëse.

Atmosfera e bukur e këtyre ditëve të fundit të një tjetër viti, është një mënyrë për të zhvendosur vëmendjen nga përditshmëria dhe rutina e saj, e për të menduar më pozitivisht për atë që vjen përtej një tjetër pragu kalendarik.

“Fëmijët janë më të gëzuarit, por edhe moshat e tjera janë të interesuar për këtë periudhë”, shton ajo.

Mes gjithë këtyre zbukurimeve që tashmë kanë veshur Tiranën me ngjyrat e festave, më i kudogjenduri është bredhi i dekoruar. Një traditë që vite më parë nuk ka qenë kaq masive, por që sot përbën ngrehinën ngazëlluese për shumë njerëz e familje.

Por ku e ka zanafillën e vet tradita e vendosjes dhe zbukurimit të bredhit në vigjiljen e Krishtlindjes dhe Vitit të Ri? Sipas etnologut Mark Tirta për shqiptarët simbolika e bredhit është shumë e hershme. Prej asaj kohe kur nuk ekzistonte ende krishtërimi.

“Simbolikën e hershme e ka nga ritet pagane. Kulti i bimësisë ka qenë në popujt e Evropës dhe tek ne ndër shekuj, por simbolika e veprimeve ka ndryshuar herë pas here”, shpjegon etnologu.

Simbol i bukurisë dhe gjelbërimit të përhershëm, bredhi ishte gjetja më e përkryer e një riti pagan që niste me solsticin e diellit e që i hapte udhën një cikli ngricash e stine aspak të favorshme për mbarëvajtjen e jetës. Njërëzit lidhnin fatin degëve të tij të blerta.

Epokë pas epoke, ndryshimi i koncepteve njohëse mbi natyrën, ndryshoi edhe funskionin e përgatitjes së bredhit. Në formën dhe kuptimin që e njohim sot, bredhi është importuar si traditë nga Europa, bartës të të cilit kanë qenë kryesisht emigrantët që e sollën pemën si element argëtimi.

“Ka ardhur si zbukurim për të argëtuar, lumturuar fëmijët dhe jo për kultin që ka pasur në origjinën e vet”, thotë Tirta.

E sipas etnologut Tirta, edhe Krishtërimi që sot e ka ndër simbolet bazë të festës së ardhjes në jetë të Mesisë këtë pemë, nuk e ka traditë të vetën.

“Edhe Krishtlindjet përkojnë me shumë festa pagane. Kur ka hyrë krishtërimi, mori funskione të krishtera”, sqaron Tirta.

Dekoret dhe zbukurimet e ndryshme që sot instalohen degëve të bredhit, kanë edhe ato një pikënisje simbolike, që zë fill në kohërat parakrishtërimit. Dritat që qarkohen përrreth pemës, janë një përthyerje e simbolit të zjarrit që ritet pagane ua shtonin domethënien veprimeve të tyre “profetike”. E tillë ka qenë edhe e kuqja për ta, që sot është ngjyra simbol e festave të fundvitit.

“Dritat përfaqësojnë zjarrin, e kuqja në popujt e Mesdheut ka qenë ngjyra e shenjtë që përfaqësonte gjakun”, shton Mark Tirta.

Origjinë pagane apo fetare? Pavarësisht. Pemën e Krishtlindjeve apo e njohur në Shqipëri para ’90-ës si pema e Vitit të Ri, e gjen të instaluar sot në familjen e çdo shqiptari, pavarësisht orientimit dhe bindjes fetare.

Ajo, së bashku me dekoracionet e tjera, simbol i festës së ditëve të sotme, janë gjetja më origjinale e njeriut për të përcjellë me dehje e pa trishtim një vit që i ikën në jetën e gjithësecilit.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel