
Edhe pse ka një rënie të nivelit të ujit, në argjinaturën e Torovices vazhdon puna për përforcimin e saj.
Në zonën e përmbytur disa banesa që ishin nën ujë kanë nisur të dalin në sipërfaqe, ndërsa forcat e ushtrisë dhe firmave private po hedhin ende inerte mbi argjinaturë, e cila u kërcënua nga përmbytja.
Prej ditësh aty është punuar dhe kjo argjinaturë ka tërhequr vëmendjen për shkak të rëndësisë së saj.
Argjinatura në fjalë mbron fushën e Torovicës, Lezhën, Shëngjinin dhe shumë zona të banuara në ultësirën perëndimore, nga përmbytja e shkaktuar në Shkodër.
Lartësia e ujit në këtë argjinaturë ishte deri në 6 metra. Disa ditë më parë uji shkoi deri në kufirin maksimal dhe nëse nuk do të kishte qenë ndërhyrja e shpejtë e ushtrisë dhe firmave private, ujërat do ta kishin kaluar duke e dëmtuar dhe duke rrezikuar edhe carjen e saj.
Zëvendësministri i Kulturës, ish-deputet i Lezhës, Nikollë Lesi thotë se ishte angazhimi i të gjithëve që shmangu tragjedinë.
“Argjinatura Torovicës mund të them se është shumë e garantuar falë angazhimit të firmave private, ushtrisë, prefektit Pal Dajci dhe deputetëve të majtë e të djathtë. Është një shembull i bashkëpunimit të politikës për të shpëtuar Lezhën”, ka deklaruar Lesi.
Top Channel