
Edhe pse Shqipëria po kalon ditë të vështira, edhe pse qeveria me laps e letër po përllogarit dëmet e po mendon për zgjidhjet më të mira, pensionistët mendjen e kanë te shpërblimi.
Ashtu si vitet e tjera, edhe këtë herë Kryeministri nuk do t’i lërë pa shpërblim, por se sa do të jetë masa e përfitimit shtesë, ende nuk ka asnjë përgjigje zyrtare. Aktualisht në Këshillin e Ministrave nuk gjendet asnjë propozim nga financat për masën e shpërblimit të pensionistëve me rastin e festave të fundvitit.
Megjithatë, ajo që flitet jo zyrtarisht në dikasterin e përllogaritjeve lidhet me një shpërblim modest, i cili nuk do t’i kalojë 5 mijë lekë të reja.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka deklaruar se nuk është përcjellë ende asnjë shkresë zyrtare lidhur me masën e shpërblimit të pensionistëve, megjithatë, institucioni i ka të gjitha kapacitetet dhe disponon të gjithë angazhimin nga ana e personelit për të kryer shpërndarjen në kohë të rimbursimit të festave.
Një vit më parë, shpërndarja e shpërblimit të Vitit të Ri në formën e pagës së 13 për të gjithë pensionistët u bë nga data 22 dhjetor deri më 30. 5 mijë lekë të reja një pensionist mund të kënaqet duke blerë minimalisht gjelin e detit, traditë në familjet shqiptare.
Në tregun e pazarit të ri, atje ku bëhet edhe tregtia e gjelave, por edhe nëse dikush ka dëshirë të bëjë një porosi në fshatin Baldushk, zonë e njohur për rritjen e gjelave e pulave të detit, çmimi dysheme për një produkt të tillë nis nga 5 mijë lekë të reja. Nëse gjeli nuk është imcak, i dobët ose i vogël, por i majmë, atëherë çmimi i tij rritet në proporcion me peshën e “mirëqenien”.
Duke nisur nga muaji nëntor, teksa merrnin pensionin, në arkat e kursimit të gjithë kanë pyetur: “A do të kemi shpërblim për Vitin e Ri?”. Përgjigjja ka qenë pozitive, por e shoqëruar me frazën: “Shpërblime besojmë se do të ketë, por duhet të kënaqeni me pak, sepse flitet për një pagesë shtesë prej 5 mijë lekësh”. Këto janë diskutimet e para, ndërkohë që shifra e saktë e parave që do të marrin këtë fundvit pensionistët mund të jetë edhe më e lartë, nëse qeveria e kreu i saj merr një vendim edhe më “zemërgjerë”.
Sakaq, pak ditë më parë u bë publik lajmi se për 89 mijë nëpunës të administratës publike qeveria do të japë pagën e 13 për punonjësit “e dalluar”. Do të jepen 10 mijë lekë për gjithë administratën dhe 30 mijë deri në 50 mijë lekë për punonjësit, që për shkak të problemeve shëndetësore u janë drejtuar spitaleve jashtë Shqipërisë.
Vendimi është marrë në prag të miratimit të buxhetit 2011 nga Këshilli i Ministrave dhe është botuar në Fletoren Zyrtare, duke marrë në këtë mënyrë të gjitha hapësirat për zbatim të plotë ligjor. Ministrat dhe krerët e institucioneve do të përcaktojnë numrin dhe përzgjedhjen e personave që do të përfitojnë pagën e 13.
Përveç kësaj kategorie shpërblimesh, të gjithë punonjësit e administratës publike do të përfitojnë 10 mijë lekë shtesë në fund të muajit dhjetor.
Top Channel