Komisioni i Ligjeve përfshin në axhendë kërkesën e PS-së

08/12/2010 08:40

Kuvendi do të diskutojë të martën më 14 dhjetor kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor të zgjedhjeve të qershorit 2009.

Administrata e Kuvendit ka ngarkuar Komisionin e Ligjeve për të marrë në shqyrtim këtë kërkesë shumë të debatueshme të Partisë Socialiste dhe detajet e saj priten të zbardhen brenda një jave. Kryetari i Komisionit, Ilir Rusmali, ka bërë me dije dje për deputetët dhe anëtarët e komisionit që ai drejton se “të martën do të përfshihet në kalendarin ditor kërkesa e PS-së për ngritjen e komisionit hetimor”.

Ka gjasa që situata që për më shumë se një vit e gjysmë nuk gjeti një zgjidhje, të marrë tashmë një tjetër dimension të ri politik. Formula e modaliteteve për ngritjen e komisionit do të përcaktohet ditën e martë, një ditë përpara heqjes zyrtare të vizave mes Shqipërisë dhe vendeve Shengen.

Opozita refuzoi dje diskutimin në Komisionin e Ekonomisë të aktit normativ të pensioneve suplementare të ushtarakëve. Kapriçioja e opozitës nuk mbaroi këtu, por u përcoll edhe në Komisionin e Integrimit.

Përfaqësuesi i Ministrisë së Integrimit mbërriti me vonesë në sallën e Komisionin e Integrimit dhe në fund deputetët e Partisë Socialiste u larguan pasi lëshuan edhe batutat e radhës.

Kryetarja e këtij komisioni, Ermelinda Meksi, është shprehur se “për këtë rast t’i jepet vërejtje ministrisë”. Deputeti Ditmir Bushati kërkoi nga administrata e Kuvendit që “Raporti i Bashkimit Europian nga Kuvendi të jetë me numër protokolli për deputetët”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA