Wolfarth: Kujdes me listat e zgjedhësve

07/12/2010 08:45

Kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wolfarth, në kuadrin e një turi vizitash në rrethet e jugut të Shqipërisë u ndal dje në qytetin e Gjirokastrës, ku u takua me krerët drejtues të strukturave të qeverisjes vendore.

Takimin e parë ambasadori i OSBE-së e zhvilloi me kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, zotin Flamur Bime, i cili i parashtroi ambasadorit disa probleme që lidhen me procesin e ardhshëm zgjedhor dhe sidomos për përgatitjen e listave zgjedhore.

Pasi dëgjoi problemet e ngritura nga Bime për listat e zgjedhjeve, kreu i Prezencës së OSBE-së në Tiranë tregoi interes për të gjitha çështjet që lidhen me listat e zgjedhjeve, si problemet që shkaktohen nga lëvizjet e lira të popullsisë, largimin e të vdekurve nga këto lista që, sipas përfaqësuesve të bashkisë, ky largim nuk mund të bëhet nëse nga vetë familjarët e të vdekurve nuk bëhet kërkesa për heqjen e të vdekurve nga listat.

“Procesi elektoral dhe zgjedhjet e ardhshme të strukturave të pushtetit vendor janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për Prezencën e OSBE-së. Ne do të ndjekim me interes gjithë proceduarat dhe puna jonë në këtë drejtim është të bashkëpunojmë me njësitë e qeverisjes vendore për të përgatitur lista sa më të mira zgjedhësish”, tha Wolfarth.

Top Channel