
Pas një bisedë telefonike një ditë më parë për situatën e përmbytjeve në Shkodër, ambasadori i ri amerikan, Alexander Arvizu zhvilloi takimin e parë zyrtar me kryeministrin Sali Berisha.
Forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve ishte një nga temat kryesore të takimit, ku kryeministri Berisha konfirmoi vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me aleatin strategjik të Shqipërisë.
Pjesë e rendësishme e bisedimeve ishte edhe situata e krijuar në Shkodër, për të cilën ambasadori amerikan tha se Shtetet e Bashkuara po e ndjekin nga afër dhe po përpiqen të ndihmojnë me të gjitha mundësitë.
“Pa dyshim është një situatë shumë e vështirë dhe një shqetësim i madh është se reshjet kanë filluar relativisht më herët. Zakonisht fillojnë në janar, po këtë vit reshjet nisen në dhjetor, gjë që përbën një shqetësim. Ne kemi monitoruar situatën nga shumë afër dhe duam të përgjigjemi sa më shumë që është e mundur ndaj nevojave të popullit shqiptar. Dua të lavdëroj autoritetet shqiptare për përpjekjet e deritanishme, të cilat janë shumë mbresëlënëse. Pavaresisht te gjitha vështirësive nga përmbytjet, për aq sa jam në dijeni, asnjë jetë nuk është humbur dhe pa dyshim, këtu kanë rol përpjekjet e jashtëzakonshme të qeverisë për t’u kujdesur për mirëqenien e njerëzve. Iu zotova kryeministrit se ne do të jemi në kontakt të ngushtë me zyrtarët e tij në ditët dhe muajt në vijim, për t’u përpjekur për të vlerësuar nevojat dhe për t’u përgjigjur në masën që kemi mundësi. Siç dhe e përmendi kryeministri, patëm një diskutim shumë të mirë për historinë e miqësisë dhe marrëdhënieve midis vendeve dhe i shpjegova se sa i kënaqur dhe i gëzuar jam për misionin tim dhe mezi pres për një bashkëpunim të ngushtë me kryeministrin dhe me qeverinë e tij në të ardhmen”, është shprehur Arvizu.
Një ditë më parë, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale, ambasadori i ri amerikan, u takua me presidentin Bamir Topi, i cili i shprehu mbështetjen e plotë insitucionale për përmbushjen me sukses të misionit të tij diplomatik.
Top Channel