
Shtëpitë e pallatet e përmbytura rrezikohen edhe pas largimit të ujit. Specialistët e ndërtimit shprehen se qëndrimi për një kohë të gjatë i godinave në ujë riaktivizon uljet shtesë të themeleve të ndërtesave.
Profesorë të njohur në Fakultetin e Ndërtimit thonë se më të rrezikuara nga përmbytjet janë ndërtesat e vjetra, themelet e së cilave janë me gur gëlqerorë dolomite.
Profesoresha Luljeta Bozo, thekson se duhet të bëhet një identifikim i këtyre ndërtesave në mënyrë që të përforcohen themelet.
“Rreziku më i madh janë themelet për godinat që janë ndërtuar para vitit 1990. Kur janë të realizuara me gurë mund të kenë shumë probleme. Nëse kanë qenë gurë gëlqerorë ato shpërbëhën shumë nga uji. Ku është më të vërtetë një rrezik”, është shprehur Bozo.
Të gjitha banesat e reja të ndërtuara, ku nuk janë respektuar të gjitha llogaritjet inxhinerike, mund të pësojnë probleme. Dhe më të dukshmet do të jenë në pjesën e mureve të shtëpive.
“Edhe muratura patjetër që ka pësuar dëmtime pasi varet nga lloji i tullës së përdorur. Duke pasur kushtet e tanishme uji që është futur brenda krijon deformime suplementare”, theksoi Bozo.
Profesorët sqarojnë se duhet të bëhet një identifikim në zonë të banesave, në mënyrë që të përforcohen themelet dhe të merret të gjitha masat e duhura inxhinierike.
Specialistët e ndërtimit sqarojnë se një tërmet në këto zona, do të ishte fatal, pasi toka është e mbingopur me ujë.
Top Channel