Përmbytjet, Meta: Operacioni humanitar, optimal

06/12/2010 19:50

Ministri i Energjitikës dhe zëvendëskryeministri Ilir Meta ka deklaruar se qeveria ka marrë të gjitha masat për të dhënë ndihmën e nevojshme për banorët në zonat e përmbytur.

“Jam në disa zona problematike, si komuna e Dajçit, Bërdica, një pjesë e mirë e Bushatit, Velipojës, por edhe probleme të tjera. Natyrisht edhe një pjesë e konsiderueshme e qytetit të Shkodrës që është nën ujë”, është shprehur Meta.

“Problemet janë mungesa e një komunikimi të lirshëm në raport me problemet shëndetësore. Në lidhje me ushqimin, me bukë dhe ujë, mendoj se funksionon në mënyrë optimale edhe brenda qytetit, por edhe komunave ku banorët janë të izoluar. Ky operacion humanitar nuk është perfekt, por është optimal dhe vjen duke u përmirësuar çdo ditë”, theksoi Meta.

Ai ka theksuar në një lidhje të drejtpërdrejt në Top Channel se situata e krijuar ka qenë për shkak të kushteve atmosferike dhe jo shkarkimeve nga hidrocentralet.

“Shkarkimet nuk kanë qenë shkaku i kësaj situate, por reshjet e jashtëzakonshme që kanë përfshirë zonën. Fryrja e liqenit është e jashtëzakonshme, por edhe ujrat që vijnë nga Mali i Zi e bëjnë edhe më të vështirë këtë situatë”, tha Meta.

Duke folur për planet e qeverisë për të ndërhyrë që përmbytjet të mos përsëriten, ai theksoi se projekte të tilla nuk mund të realizohen për një periudhë të shkurtër.

“Mendoj se qeveria e ka një plan dhe nuk mund të realizohet për një periudhë të shkurtër, por është afatgjatë. Ndërsa investimet për të ndaluar këtë situatë janë bërë, por këto ishin të pamjaftueshme për shkak të kushteve të motit”, theksoi Meta.

Top Channel