NATO, ende asnjë vendim për ndihmë në Shqipëri

06/12/2010 08:00

Nuk ka asnjë mbledhje apo vendim zyrtar të NATO-s që t’i përgjigjet kërkesës së qeverisë shqiptare për ndihmë në lidhje me tragjedinë humanitare që ka përfshirë Shqipërinë, pas përmbytjeve në Veri, por edhe në Jug të vendit.

Gazeta “Shqip” u interesua dje në kancelarinë qendrore të NATO-s në Bruksel, ku ka kontaktuar me zyrën e shtypit, duke kërkuar një përgjigje zyrtare në lidhje me kërkesën e Shqipërisë. Duke qenë ditë e diel, ku normalisht kishte një numër të kufizuar zyrtarësh, gjithsesi përfaqësuesit përgjegjës bënë të ditur se nuk ka pasur ende një vendim zyrtar apo mbledhje që të ketë vendosur për një ndihmë logjistike apo edhe monetare ndaj Shqipërisë.

Një zyrtar i zyrës së shtypit të NATO-s, i tha “Shqip” se gjithçka pritet të ndodhë gjatë ditës së sotme kur ndoshta mund të mblidhet Këshilli i Ambasadorëve(organi drejtues) nën drejtimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Anders Fogh Rasmussen.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Arben Imami, kërkoi dy ditë më parë ndihmë nga NATO, kryesisht me mjete logjistike për të hyrë në zonën e Velipojës ku trupat shqiptare nuk e kishin këtë mundësi. Në fakt, është hera e parë që përgjigja e komunitetit ndërkombëtar ka qenë kaq e ngadaltë ndaj “SOS”-it shqiptar për të ndihmuar.

Nuk ka ndodhur kështu në krizat e kaluara humanitare, ku në fakt Europa apo vendet fqinje “rrezikoheshin” nga një vërshim eksodi ndaj shqiptarëve. Por këtë herë duket se kjo çështje nuk është më emergjente.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA