Milo: 15 dhjetori, festa e shtresave të varfra

06/12/2010 21:50

Kryetari i PDS-së, Paskal Milo ka deklaruar në emisionin “Shqip” në Top Channel se 15 dhjetori, dita kur hyn në fuqi liberalizimi i vizave me BE, do të jetë një festë e madhe kryesisht për shtresat më të varfra të Shqipërisë.

“Me 15 dhjetor shqiptarët do të mendojnë se si do ta prekin ëndrrën e tyre të vjetër. Ata që do të jenë të interesuar për të dalë do të jenë shtresat më të varfëra të Shqipërisë sepse ata do mendojnë se përmirësojnë jetën e tyre duke u larguar”, është shprehur Milo.

“Ai trajtim diskriminues dhe korrupsioni me vizat në ambasadat në Tiranë më në fund do të marrë fund dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme”, deklaroi Milo.

Duke folur për të drejtat që do u jepen shqiptarëve në lidhje me lëvizjen e lirë, Milo deklaroi se qytetarët tanë nuk janë pjesë e regjimit Shengen, por vetëm mund të lëvizin lirshëm në të.

“Regjimi Shengen ka të drejtë që qytetari të punojë, jetojë, studiojë në çdo vend të BE dhe diplomat e tyre kanë të njëjtën vlerë si ato të BE-së. 15 tetori na jep të drejtën të lëvizim për tre muaj të lëvizim lirisht në çdo vend të BE-së, por përtej 90 ditëve nuk na lejohet. Qytetari shqiptar nuk ka të drejtë të punësohet dhe jetojë më gjatë se kjo periudhë, përndryshe do të penalizohet”, theksoi Milo.

Ai theksoi se lëvizja e lirë mund të sjellë pasoja negative për personat e painformuar në lidhje me këtë çështje.

“Ata që do të kenë tendencë që do të largohen të parët janë qytetarët e varfër që ka rrezik që të shesin edhe bagtitë apo shtëpitë e tyre për ta pasur shumën e nevojshme të lekëve për t’u larguar”, tha Milo.

Top Channel