Biberaj: Nuk do të ketë fluks drejt BE-së

06/12/2010 22:00

Deputeti i Partisë Demokratike, Aleksandër Biberaj ka shprehur bindjen e tij se qytetarët shqiptarë do ta përdorin ashtu si duhet të drejtën e tyre për lëvizjen e lirë.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Biberaj ka deklaruar se nuk pret ndonjë fluks eventual të qytetarëve shqiptarë drejt vendeve të BE-së.

“Mendoj se deri më 15 dhjetor shqiptarët do të jenë të informuar mjaftueshëm për rregullat e udhëtimit drejt BE-së. Nuk e shoh këtë me shumë skepticizëm, pasi në të kaluarën kush ka dashur të kalojë kufirin e ka kaluar. Unë nuk e kam merakun e një fluksi azilkërkuesish. I rëndësishëm ka qenë vendimi i BE dhe mendoj se kjo është një arritje e madhe”, ka pohuar Biberaj.

Sipas tij, qytetarët shqiptarë janë të ndërgjegjësuar se sot Perëndimi nuk është më “parajsa” e premtuar, edhe për shkak të krizës ekonomike.

“Tashmë Perëndimi nuk është më parajsa e vitit 1991-92, kur shqiptarët mendonin se atje do të gjenin gjithcka. Dhe, duke parë krizën globale, mendoj se daljet nuk do të jenë të shumta”, ka shtuar Biberaj.

Top Channel