Jo më psikolog pa arsimin përkatës

05/12/2010 10:40

Ndryshe nga përvojat e kaluara, për vitin e ri shkollor 2010-2011, në arsimin parauniversitar shqiptar pritet të aplikohen strategji, politika dhe projekte plotësisht të reja. Gjithçka parashikohet në udhëzimin e fundit të firmosur nga kreu i arsimit.

Qëllimi i përfshirjes së këtyre praktikave në institucionet e arsimit 9-vjeçar dhe të mesëm, sipas këtij udhëzimi, synon rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për përthithjen e njohurive në mënyrë efikase.

Ligji, që sapo ka hyrë në fuqi, detyron shërbimin psikologjik shkollor të drejtorive arsimore rajonale dhe zyrave arsimore të marrë të gjitha masat e nevojshme që në fillim të vitit të ri shkollor të kenë zëvendësuar të gjithë psikologët që nuk kanë arsim përkatës dhe të sigurojnë kabinetin e shërbimit psikologjik dhe pajisjen e tij në të gjitha shkollat që ofrojnë këtë shërbim.

“Ngritja e grupit të mbështetjes së psikologut në çdo shkollë ku funksionon ky lloj shërbimi, planifikimi dhe realizimi i raportit të veprimtarisë gjithëvjetore të shërbimit psikologjik në shkollë, është një tjetër pikë kyçe që synohet të realizohet në shkolla”, sqarohet në ligj. Zbatimi i aksionit kombëtar për reduktimin në zero të braktisjes shkollore është një tjetër element thelbësor që parashikohet të realizohet nëpërmjet udhëzimit të MASH-it.

Zhvillimi i këtij aksioni mbështetet nga “Plani i veprimit për reduktimin në zero të braktisjes shkollore 2009-2013”. Në të sqarohet se për uljen e treguesve të braktisjes shkollore, DAR/ZA-të duhet të ngarkojnë një specialist, që do të merret me hartimin dhe monitorimin e zbatimit të planit të veprimtarive vjetore për këtë problem, të raportohet në MASH dy herë në vit për realizimin e këtij plani, ndërkohë që ky i fundit duhet të shoqërohet me informacionin statistikor të braktisjes shkollore për klasat I-IX.

Kjo “pikë” e ndryshuar në ligj ka njëkohësisht si qëllim trajnimin e mësuesve, që punojnë me nxënës që kanë braktisur shkollën, ose që shfaqin prirje për braktisjen e saj. Në udhëzim nuk lihet pa u përmendur edhe hartimi i programeve të veçanta të punës në nivel klase dhe shkolle për ndërgjegjësimin e prindërve mbi rëndësinë e shkollimit të fëmijëve të tyre, që lidhet drejtpërdrejt me një të ardhme të sigurt për ta.

Top Channel