Dekani i Mjekësisë: Nuk largohem

05/12/2010 08:10

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftanji, reagoi dje në një konferencë për shtyp, lidhur me kërkesën e disa ditëve më parë të studentëve të këtij fakulteti, për dorëheqjen e tij.

Sipas kreut të Mjekësisë, kompetenca për largimin e një dekani është në dorë të këshillit të profesorëve apo ministrit. Dekani Priftanji deklaroi se lidhur me disa nga shqetësimet e studentëve, janë departamentet ato që duhet të shqyrtojnë problemet e mungesave apo pjesëmarrjes së pedagogëve në orët e leksioneve e seminareve.

Sipas dekanit të mjekësisë, funksioni që ai mban vjen si rezultat i zgjedhjes nga stafi pedagogjik dhe vetë studentëve. Kompetencat për largimin e tij nga detyra e dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, i ka vetëm ministri i Arsimit. Nga ana tjetër, dekani nuk ka dhënë shumë sqarime për mungesën e pedagogëve në orët e mësimit.

Menjëherë pas deklaratës së dekanit, ka reaguar këshilli i studentëve të Fakultetit të Mjekësisë. Sipas tyre, pavarësisht deklaratës së dekanit, legjislacioni në fuqi parashikon shkarkimin e tij nga posti, në rast se rektorati i Universitetit të Tiranës propozon largimin e tij pranë ministrit të Arsimit dhe Shkencës. Gjithashtu studentët e Mjekësisë kanë theksuar se për të zgjidhur keqkuptimet dhe për të bërë transparencë për problemet e fakultetit, dekani është i ftuar të marrë pjesë në një debat publik mes tyre dhe kreut të fakultetit.
 
Deri tani, nuk ka pasur asnjë përgjigje, por pavarësisht kësaj, në zgjedhjet për dekan kanë qenë edhe studentët ata që kanë votuar kreun aktual të fakultetit. Për pak javë duhet të zhvillohet konkursi i specializimeve për studentët e vitit të fundit të Fakultetit të Mjekësisë, por pavarësisht kësaj, ata kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë në orët e leksionit e madje do të braktisin edhe konkursin e specializimeve. Kjo për shkak të mospranimit të rregullores, mënyrës si do të bëhet grumbullimi i pikëve e kriteret e konkursit, ndryshuar në korrik të këtij viti.

Mungesa e profesorëve në mësim, si dhe mungesa e zhvillimit të praktikës në spitalet e vendit janë bërë gangrena e mosmarrëveshjeve mes drejtuesve të Fakultetit të Mjekësisë dhe studentëve të viteve të fundit. Po ashtu studentët janë të irrituar për shkak të mungesës së mjeteve didaktike, hapësirës dhe librave të ofruara në bibliotekë, janë të shqetësuar që në vitin 2010 mungon interneti në fakultet e mbi të gjitha, për shkak se nga ky institucion i arsimit të lartë, nuk po ushtrojnë profesionin e tyre për sa i takon sektorit të praktikës.
 
Në të tilla kushte, studentët nuk tërhiqen, por do të vazhdojnë bojkotin e mësimit. Edhe dekani i fakultetit nuk do të largohet derisa është votuar prej tyre dhe vendimi për shkarkimin e tij merret vetëm nga ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj.

Top Channel