Prurjet maksimale, shkarkimet vazhdojnë

04/12/2010 15:20

Prurjet në kaskadën e Drinit janë rritur edhe më shumë gjatë paradites duke mos dhënë shpresë për një përmirësim të situatës.

Sipas të dhënave më të fundit të Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare në liqenin e Fierzës prurjet e ujit kanë arritur në mesditë në 1600 metër kub në sekondë. Niveli i ujit në hidrocentralin më të madh në vend ndodhet në pikën kritike 290.85 metër dhe vijon të rritet me 2 centimetër në orë.

KESH po shkarkon nga Fierza përmes portave dhe turbinave të prodhimit 1070 metër kub ujë në sekondë. Në liqenin e dytë të kaskadës atë të Komanit kuota është 169.87 metër. Prurjet që vijnë nga Fierza por edhe ato anësore në këtë hidrocentral arrijnë në 1660 metër kub ujë në sekondë dhe korporata po shkarkon 1844 metër kub në sekondë. Në pikën fundore të kaskadës, hidrocentralin e Vaut të Dejës, kuota e ujit është 73.57 metër mbi nivelin e detit. Sasia e prurjeve anësore dhe ato që vijnë nga Komani, janë 2440 metër kub ujë në sekondë.

Nga ky hidrocentral KESH po shkarkon aktualisht 2167 metër kub ujë në sekondë, përmes portave por edhe agregatëve të prodhimit. Ndonëse shkarkimet janë pak më të ulëta se dy ditë më parë, kur arritën në gati 3 mijë metra, ato mbeten sërish ndër më të lartat.

Kjo sasi prurjesh, por edhe parashikimet jo optimiste të motit për javët në vijim paralajmërojnë se përmbytjet në zonën e Nënshkodrës do të jenë këtë herë më agresive, por edhe më të zgjatura në kohë nga ato të kaluarat. Ekspertët e KESH shpresojnë që prurjet anësore në hidrocentrale sidomos atë të Vaut të Dejës të mos rriten më shumë, pasi nëse do të kemi sërish një situatë si ajo e tre ditëve më parë, kur ato arritën deri në 4 mijë metër kub ujë në sekondë, Korporata do te detyrohet t’i shkarkojë të gjitha dhe përmbytjet do të jenë edhe më të mëdha.  

Top Channel