
Hapja në mënyrë të paparalajmeruar e Ulzës dhe Shkopetit ka qenë një rrezik shumë i madh që i është kanosur pasagjerëve të disa furgonave që udhëtonin nga Burreli në drejtim të Milotit, ndërsa shpëtimi i tyre ka qenë një mrekulli pasi rryma e ujit i ka zënë në mes.
Burime jo zyrtare, por nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se shkarkimet nga Ulëza dhe Shkopeti janë 2500 m3 në sekondë. Kjo rrymë e madhe ka bërë që të bashkohen Fani dhe Mati përplasja e të dyja rrymave ka bërë që rruga të bllokohet ndërsa zonës t’i kanoset një rrezik shumë i madh.
Në vendin e ngjarjes kishte uniforma blu të shumta, deputetja e qarkut, Paulina Hoti si dhe përfaqësues të tjerë lokalë. Kreu i Drejtorisë së Policisë, Furriku në një intervistë për Top Channel ka theksuar se shpëtimi i pasagjerëve të furgonave, si edhe kreut të komunës Milot, Vlash Gega, kreut të komisariatit Lac, të cilët kishin hyrë për të asistuar pasagjerët, ka qenë një mrekulli.
Duke folur për gjendjen dhe masat, deputetja Paulina Hoti e gjendur menjëherë në vend ka bërë apel komunitetit të mos ketë panik, por të rrijë në gadishmëri dhe në kontakt me informacionin zyrtar.
Aksi Milot-Burrel-Peshkopi tashmë është një tjetër rrugë nacionale që iu shtohet akseve nacionale të bllokuara si pasojë e përmbytjeve.
Top Channel