
Kriza e shkurtimit të buxhetit të shtetit në qershor të këtij viti nuk kurseu as programin e investimeve për sigurimin e lumenjve përmes argjinaturave.
Në një raport të detajuar të Ministrisë së Bujqësisë, që mbulon edhe sektorin e “kanalizimeve për ujitje, kullimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet”, përmes Bordeve të Kullimit, thuhet se në qershor u vendos të shkurtoheshin 676 milionë lekë nga buxheti i ministrisë.
Reduktimi i fondeve preku në mënyrë të ndjeshme dy programet që mbulonin direkt sigurinë e lumenjve, duke mundësuar rreth 125 milionë lekë më pak investime për argjinatura të reja të ndërtuara dhe të rikonstruktuara.
Sikurse të mos mjaftonte shkurtimi i buxhetit për investime në këta sektorë, Kryeministri Sali Berisha merr një vendim të posaçëm që ndalonte të gjithë tenderët pas datës 1 gusht.
Ky vendim preku edhe planet e investimeve për argjinaturat e lumenjve, përfshi edhe ato të Veriut, që sot gjenden në situatë kritike, duke përmbytur zona të tëra.
Ministria e Bujqësisë pranon se pas shumë negociatash me Ministrinë e Financave u bë i mundur zhbllokimi i fondeve të paktën për zonat në Veri, për t’i hapur rrugë investimit të tyre.
Në raportin e monitorimit të buxhetit për vitin 2010, zyrtarët e ministrit kompetent, Genc Ruli, duke sqaruar vendimin për rishikimin e buxhetit pas bllokimit të fondeve, deklarojnë se, “këto ndryshime kanë të bëjnë me heqjen e disa objekteve dhe futjen për financim të disa objekteve të tëra që kapin vlerën 108 milion lekë dhe i përkasin ndërhyrjeve emergjente në zonën e Shkodrës”.
Top Channel