
Lumë shkeljesh dhe abuzimi me ligjin janë gjetur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në Doganën e Tiranës, gjatë inspektimeve të kryera në muajt mars-korrik 2010.
Duke filluar që me mosmarrjen në konsideratë të rekomandimeve të dhëna nga KLSH-ja, niveli i ulët i realizimit të planit, e më tej, me procedurat e ndjekura me zhdoganimin e mallrave, e deri me rikuperimin e borxheve të prapambetura.
Raporti është publikuar së fundmi nga KLSH-ja dhe përmban një mori shkeljesh, më së shumti me praktikën e ndjekur për verifikimin e vlerës së mallrave të importuara nga vendet e Lindjes, arabe dhe të Amerikës Latine.
“Nga kontrolli u konstatua se disa subjekte kanë importuar mallra të ndryshme, të cilat autoriteti doganor kompetent i ka zhdoganuar me çmim fature, pa bërë asnjë ndërhyrje ligjore, kur për këto artikuj ka pasur çmime referuese të publikuar në Dosjen e Referimit të Vlerës doganore të mallrave”, thuhet në raport.
KLSH-ja thotë se nuk janë zbatuar në mënyrë të plotë kërkesat e udhëzimit nr. 25, datë 30.11.2007 të Ministrisë së Financave, “Për procedurat e shqyrtimit të Vlerës Doganore, burimet e informacionit dhe afatet e publikimit të Dosjes me të Dhëna të Disponueshme, si dhe zhdoganimin e automjeteve e të pjesëve të këmbimit të tyre”.
Top Channel