Topi: Pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet

02/12/2010 08:15

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklaruar në samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të OSBE-së, që zhvillohet në Astana të Kazakistanit, se pavarësia e Kosovës ka sjell paqe dhe stabilitet në rajon.

Ai theksoi se Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi, si dy shtete të pavarura dhe sovrane për çështje teknike me interes të përbashkët.

“Falë zhvillimeve të viteve të fundit, Ballkani Perëndimor po përjeton një periudhë paqeje, stabiliteti e progresi të gjithanshëm. Pavarësia e Kosovës, e deklaruar në pajtueshmëri të plotë me të drejtën ndërkombëtare, ka dhënë një kontribut të vyer në stabilizimin e rajonit tonë. Ky shtet i ri përbën tashmë një realitet që ka marrë drejtimin e duhur e po konsolidohet dita-ditës kah të ardhmes evropiane dhe euro-atlantike. Klima paqësore e ndikimi pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike që ka krijuar pavarësia e saj, duke përçuar impakt të drejtpërdrejtë në paqen e stabilitetin e rajonit tonë, përbëjnë një fakt konkret dhe real”, është shprehur Topi.

“Shqipëria mbështet dialogun e drejtpërdrejtë Kosovë-Serbi, si dy shtete të pavarura dhe sovrane për çështje teknike me interes të përbashkët, një dialog që duhet të udhëhiqet nga parimet e Dekalogut të Aktit Final të Helsinkit, veçanërisht të respektimit të integritetit territorial e sovranitetit dhe fqinjësisë së mirë.

Top Channel