
Shqipëria është një nga vendet me koston më të lartë të jetesës në rajon. Të dhënat e publikuara nga EUROSTAT, që krahasojnë cmimet në 27 vendet e BE-së dhe 4 vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor, tregojnë se për produktet bazë, shqiptarët paguajnë më shumë se fqinjët me ekonomi të ngjashme edhe pse të ardhurat e tyre janë më të ulëtat në Europë.
Sipas EUROSTAT, cmimet e ushqimeve në Shqipëri janë sa 70 për qind e mesatares së vendeve të Bashkimit Europian, në një kohë që ky tregues për Maqedoninë është 52 për qind, për Bullgarinë 67 për qind dhe për Rumaninë dhe Serbinë respektivisht 65 dhe 69 për qind.
Shqipëria i ka cmimet më të larta se fqinjët e saj edhe për pijet alkoolike dhe ato joalkoolike. Madje sipas EUROSTAT, shqiptarët i paguajnë këta produkte gati njëlloj sa konsumatorët e Bashkimit Europian, që i kanë të ardhura 4 herë më të larta. Vaji dhe produktet e tjera të ngjashme me të shiten në tregun shqiptar me një cmim sa 93 për qind e mesatares të Bashkimit Europian, kur konsumatorët e vendeve fqinje paguajnë për këtë produkt dukshëm më pak. E njëjta tendencë është edhe për mishin apo dhe bulmetrat.
I vetmi produkt ku Shqipëria ka cmimet më të ulëta se rajoni është duhani, i cili shitet me një cmim sa 30 për qind e mesatares së BE-së. Ndërsa për të gjitha produktet e tjera më të domosdoshme, shqiptarët paguajnë cmime më të larta se sa fqinjët e tyre, edhe pse sipas EUROSTAT i kanë të ardhurat më të ulëtat në rajon vetëm sa 27 për qind e Bashkimit Europian.
Top Channel