Shkodra, debate në parlament

02/12/2010 19:30

Kryeministri Sali Berisha ka replikuar ashpër ndaj kryetarit të grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci, i cili kërkoi llogari për situatën e krijuar në Shkodër nga përmbytjet.

Në fjalën e tij në Kuvend, Berisha ka akuzuar socialistët se kanë përdorur për shantazh politik tragjeditë njerëzore që kanë ndodhur së fundmi në vend.

“Denoncoj shpirtin makabër të atyre që duartrokisin për fëmijët e vdekur. Prisja këtu zoti Ruci që t’i kërkojë falje qytetarëve shqiptarë, sepse shkelmuat mbi shpirtërat e 4 fëmijëve të vdekur. S’u tërhoq dot as para pafajësisë së 4 fëmijëve. Cilido që të ketë qenë mllefi juaj, nuk mund ta bënit këtë. Ju përdhosët fatkeqësinë duke duartrokitur dhe duke cituar emrat e viktimave”, i është drejtuar Berisha Rucit.

Ndërkohë Ruci, i cili ka marrë menjëherë fjalën pas kryeministrit, e ka akuzuar këtë të fundit se ka dështuar në marrjen e masave për shmangien e përmbytjeve.

Ruci është shprehur se Berisha ka mashtruar qytetarët e Shkodrës me deklaratat për investime në infrastrukturë, ndërkohë që vazhdon të mbulohet me justifikimin e fatkeqësisë natyrore.

“Ne kërkojmë falje që të mbajmë në pushtet. Në janar të vitit 2010 u përmbyt Shkodra dhe ju e quajtët një fatkeqësi natyrore. Premtuat se do të merrnit masa, ndërkohë që këtë vit Shkodra është përmbytur për të pestën herë. Pse mashtruat Shkodrën dhe Kuvendin? Nuk u përmirësuan argjinaturat, ju keni dështuar. Jemi këtu që të kërkojmë largimin tuaj”, i është drejtuar Ruci Berishës.

Më tej kryetari i grupit parlamentar socialist ka akuzuar kryeministrin se nuk ka dhënë llogari për mbi 4 mijë vrasje të ndodhura në Shqipëri në vitin 1997.

Top Channel