
Kryetari i parë i Partisë Demokratike, Eduart Selami ka deklaruar se kur kanë kaluar 20 vjet nga lëvizja e dhjetorit, Shqipëria nuk ka ende një demokraci funksionale.
Duke folur në një intervistë për VOA, Selami është shprehur se Shqipëria i ka arritur vetëm pjesërisht standartet demokratike.
“Lëvizja e dhjetorit është nga më progresivet në historinë e Shqipërisë. U rrëzua diktatura më e egër e Evropës, gjë që përbën një fitore të madhe. Por nga ana tjetër, vendosja e një demokracie funksionale është realizuar pjesërisht. Ka vend për përmirësime”, ka pohuar Selami.
“Lëvizja e dhjetorit donte një Shqipëri si gjithë Evropa dhe 20 vjet janë shumë që kjo të mos realizohet”, ka nënvizuar ai.
Më tej, duke komentuar krizën politike që ka përfshirë Shqipërinë, Selami ka theksuar se ajo duhet të tejkalohet me konsensus, në mënyrë që politika të mos mbajë peng ëndrrën e shqiptarëve.
“Nuk mohoj të drejtën e opozitës për të kërkuar dicka, por pasojat e kësaj përplasjeje i vuan Shqipëria. Elita politike shqiptare s’duhet të mbajë peng ëndrrën evropiane të shqiptarëve”, ka shtuar Selami.
Ai ka shtuar se si pasojë e mungesës së funksionalitetit, institucionet shqiptare nuk po luftojnë korrupsionin dhe për pasojë Shqipërisë iu mohua anëtarësimi në BE, në një moment kur faktori ndërkombëtar ka qenë në favor të saj.
Ndër të tjera, ai e ka konsideruar si të papranueshëm funksionimin e Parlamentit pa praninë e opozitës dhe etikën e ulët që përdoret në këtë institucion.
Top Channel