
Shkon drejt ditës së përurimit impianti i përpunimit të ujërave të zeza, investimi me impakt të fuqishëm në turizmin e Sarandës.
Ky objekt në përfundim është inspektuar nga kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka dhe stafi i administratës së këtij institucioni. Në terren, të gjithë ekspertët kanë parë se është drejt përfundimit edhe puna për vaskat e këtij impianti.
Kapaciteti i përpunimit në to do të jetë 136 litra për sekondë. Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, dje gjatë inspektimit të punimeve në këtë impiant, tha se: “Ky investim është shpëtimi përfundimtar dhe garanti i sigurt se deti i Sarandës do të jete absolutisht i pastër nga ndotjet. Kjo vlen për detin dhe vlerat mjedisore të turizmit të Sarandës”.
Punimet për impiantin kanë nisur në maj të vitit 2007, duke u shtrirë në 35 ha të fushave të Çukës. Investimi financohet nga Banka Botërore, Banka Europiane për Zhvillim dhe nga qeveria e Luksemburgut. Fatura e shpenzimit kap vlerën e 4 milionë eurove.
Impianti është planifikuar për një popullsi prej 100 mijë banorësh, duke mbajtur parasysh perspektivën e rritjes së të dhënave demografike të Sarandës, por sidomos sezonet turistike të saj. Në këto periudha llogaritet mesatarisht trefishim i popullsisë së qytetit. Ndërkohë, investimi për impiantin e ujërave të zeza ka ende një mungesë: bëhet fjalë për tubacionin e dërgimit të materialeve nga Kanali i Çukës deri në fushën e vaskave.
Mësohet se për këtë pjesë të investimit është kryer tenderimi dhe pritet që puna konkrete për shtrimin e tij të nisë në muajt e parë të vitit 2011. Sipas Bashkisë së Sarandës, fundi i prillit mendohet si afat i fundit kur investimi i plotë do të jetë gati për t’u vënë në punë dhe për të dhënë impaktet e tij në një mjedis të pastër si në tokë, ashtu dhe në det.
Ky impiant bën thithjen në mënyrë të mekanizuar dhe me teknologji bashkëkohore të ujërave me ngjyrë të zonës urbane të Sarandës.
Me vënien e tij në funksionim i jepet fund ndotjes dhe filtrimeve të mundshme të ujërave të zeza në zona urbane dhe plazhe.
Pak ditë më parë, me tone të larta, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili i është drejtuar të gjithë drejtorëve të drejtorive të Shëndetit Publik në vend në mbledhjen e thirrur prej tij, kryesisht për të dhënë direktivat lidhur me mbetjet dhe problemet e kontrolleve të higjienës.
Inspektorët duhet të kontrollojnë përditë, në mënyrë sistematike e pa toleruar për higjienë, mbeturina, cilësinë e ujit e sidomos për librezat shëndetësore të atyre që gatuajnë dhe u shërbejnë klientëve në bare, lokale, restorante e hotele.
Në rast të konstatimit të shkeljeve do të ketë masa administrative e penalizime për inspektorë e duke u ngjitur më sipër në përgjegjësi, deri te strukturat drejtuese në Ministrinë e Shëndetësisë. Kontrollet nuk do të jenë vetëm në sezonet e verës, por nga janari në dhjetor.
Top Channel