
Qeveria kushtëzon dietat e “spiunëve”. Këshilli i Ministrave dhe Parlamenti lënë të varfër shërbimin sekret shqiptar për vitin 2011.
Ministria e Financave nuk plotëson kërkesën e SHISH-it për shtimin e buxhetit të vitit 2011 në masën 100%, siç është kërkuar në mesin e muajit nëntor. Qeveria i ka shtuar vetëm 20 milionë lekë Shërbimit Informativ Shtetëror, nga 120 milionë të kërkuara fillimisht nga kreu i SHISH-it, Bahri Shaqiri. Debati ka nisur fillimisht në Komisionin e Sigurisë Kombëtare mes mazhorancës dhe opozitës.
“Jemi kundër këtij buxheti, dhe ne do të votonim nëse komisioni do t’i jepte Shërbimit Informativ fondin që kërkoi. Ne nuk do e votojmë buxhetin nen për nen”, – tha anëtari i Komisionit të Sigurisë, Ilir Gjoni. Kryetari i Komisionit, Leonard Demi sqaroi se, “Komisioni i Sigurisë Kombëtare ra dakord për shtimin e buxhetit të Shërbimit Informativ, duke i dërguar një letër ekzekutivit dhe i takon Komisionit të Ekonomisë të vendosë për këtë”.
I gjithë konsensusi i gjetur në Komisionin e Sigurisë përballë kreut të SHISH-it, Bahri Shaqiri mes pozitës dhe opozitës, është hedhur poshtë nga Komisioni i Ekonomisë i cili ka dhënë edhe vulën përfundimtare të këtij buxheti për ta kaluar atë përfundimisht për votimin nen për nen në Kuvend. Mësohet se kryetari i SHISH-it, Bahri Shaqiri ka kërkuar në Komisionin e Sigurisë më shumë buxhet për të përballuar shpenzimet e punonjësve të tij, të cilët dërgohen me shërbime të ndryshme.
Sipas Shaqirit, SHISH-it i nevojiten më shumë fonde për shpenzimet operative dhe për investimet, kryesisht në teknologji, pasi ajo është e amortizuar. Fondet e kërkuara prej këtij institucioni për shpenzimet operative janë rreth 470 milionë lekë dhe 115 milionë lekë janë për investime. Mazhoranca ka përfituar nga rasti për t’i ‘treguar dhëmbët’ Shërbimit Informativ Shtetëror, duke mos e shtuar buxhetin e këtij institucioni për vitin 2011.
Apeli i Bahri Shaqirit se po bllokohet puna e SHISH-it në Komisionin e Sigurisë, duket qartësisht se ka rënë në vesh të shurdhër nga ana e ekzekutivit. Rreth 40 milionë lekë janë kërkuar të shtohen në zërin e investimeve, ndërsa 60 milionë të tjera në zërin e shpenzimeve për shërbimet e ‘spiunëve’.
Komisioni i Ekonomisë ka kundërshtuar kompromisin e mazhorancës dhe opozitës në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, duke mos rënë dakord për rritjen e buxhetit të Shërbimit Informativ Shtetëror për shkak të mungesës së fondeve. Komisioni i Ekonomisë nuk ka preferuar të veçojë SHISH-in nga institucionet e tjera të pavarura, duke u treguar rigoroz në rivlerësimin e buxhetit në të gjitha institucionet.
Buxheti është epilogu i përplasjeve të mazhorancës me Shërbimin Informativ Shtetëror që prej një viti. Në verën e këtij viti, deputetët e mazhorancës kishin propozuar një draft për funksionimin e këtij institucioni, i cili parashikonte shkarkimin e Shaqirit brenda gjashtë muajve dhe emërimin e një personi tjetër në vend të tij.
Përfundimisht është Komisioni i Ekonomisë ai që do të vendosë për buxhetin e Shërbimit Informativ, por ndërkohë deputetët e mazhorancës e kanë shprehur mendimin e tyre kundër kësaj shtesë në buxhetin e shtetit për SHISH-in. Një tjetër kërkesë, po e ngjashme me atë të Shërbimit Informativ për rritje fondesh për vitin e ardhshëm, ka ardhur në komisionet parlamentare edhe nga Ministria e Brendshme. Kjo ministri kërkon rialokimin e 282 milionë lekëve për uniformat e policëve.
Kryetari i komisionit, Leonard Demi sqaroi se, “Komisioni i Sigurisë Kombëtare ra dakord për shtimin e buxhetit të Shërbimit Informativ duke i dërguar një letër ekzekutivit dhe i takon Komisionit të Ekonomisë të vendosë për këtë”
Top Channel