
Partia Socialiste do të tentojë edhe një herë një zgjidhje të krizës politike përmes ndërmjetësimit të komunitetit ndërkombëtar.
Në krye të delegacionit të saj, kësaj radhe do të jetë sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Arta Dade, e cila bëri të ditur se për kanalizimin e një zgjidhjeje është krijuar edhe një Task Force me disa grupime brenda Parlamentit Europian.
“Takimi me Komisionerin për Zgjerim, Stefan Fule, është në kuadrin e një Task Force të krijuar nga grupime të caktuara të PE dhe të politikës në rrafshin europian, brenda Bashkimit Europian, dhe besoj që do të kemi një mundësi më shumë për të biseduar lidhur me shqetësimet që dhe opozita ka, edhe me mendimin e fundit, opinionin që u dha lidhur me kërkesën që Shqipëria ka bërë për statusin e vendit kandidat”, tha Dade sipas “TV Alsat”.
Ajo ka konfirmuar kështu një takim me komisionerin Fule, por pa saktësuar se cilat janë propozimet e reja të selisë rozë kësaj radhe. Për më tepër që zhvillimet në këtë aspekt vijnë në një kontekst disi të trazuar në Shqipëri, duke qenë se opozita ka nisur së fundmi një valë protestash me të cilat po kërkohet largimi i qeverisë së drejtuar nga Sali Berisha.
“PS asnjëherë nuk ka hequr dorë nga zgjidhja e krizës politike me dialog dhe përmes kompromisit. Është për këtë arsye që, duke u nisur që pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ne kemi ofruar 4 kompromise, jo duke lëvizur nga qëndrimi ynë fillestar lidhur me transparencën zgjedhore, ajo vazhdon të kërkohet, madje dhe në dokumentin që në kemi paraqitur para zyrave të Kuvendit”, tha Dade.
Vizita e saj bën pjesë në një aktivitet të organizuar në kuadër të forumeve parlamentare në PE.
Top Channel