Berisha: Rama, fyerje qytetarëve më 28 Nëntor

01/12/2010 11:50

Kryeministri Sali Berisha ka sulmuar sot ashpër kryebashkiakun Edi Rama, duke e cilësuar si akt rrugacërie kombëtare moszbukurimin e qytetit me rastin e 28 nëntorit, Ditës së Flamurit.

Duke folur me tone të ashpra në mbledhjen e qeverisë, Berisha deklaroi se edhe mund ta shkarkonte Ramën nga posti i kryetarit të bashkisë, por nuk e merr këtë vendim për shkak të postit tjetër te tij si kryetar i Partisë Socialiste.

“Unë të shkarkoja 100 herë ty Edi Rama, sepse e konsideroj këtë rrugacëri kombëtare, një fyerje që i bën cdo shqiptari, një fyerje shumë e rëndë që sillesh si i biri i Enverit. Nuk e bëj këtë gjë sepse je kryetar i PS-së dhe vendimi mund të merrte një konotacion tjetër”, tha Berisha.

Kryeministri kërkoi ndryshim në ligjin e protokollit, me qëllim që situata e krijuar, sipas tij, të mos përsëritet më.

Berisha njoftoi se anëtarët e shumicës në Këshillin Bashkiak kanë ndërmarrë një nismë për të kërkuar ndjekje penale ndaj Ramës dhe shprehu besimin se drejtësia do të thotë fjalën e vet.

Top Channel